Dedë Gjo Luli u dallua në luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi. Aftësitë e tij si organizator dhe prijës luftarak u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes kundërosmane të vitit 1911. Në bashkëpunim me qarqet atdhetare parashtroi Memorandumin e Greçës, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Edhe mbas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike dhe nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli vazhdoi luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Më 24 Shtator 1915 forcat serbo-malazeze e vranë pabesisht në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë)./Muzeu Historik Kombetare