Nga Rexhep Hoti
Shpërthekoje dashurinë në hapësirat e paprekura,
Ta shijoj copëzimin tim në mijëra grimca,
Si thotë poeti, ah, në atë vend;
Fanarët e rrugëve lë të ndriçohen prej ndjenjave;
Rënkimi i frymëmarrjes sate më le pa mend.
Besoj në shikimin e dashuruar,
S’ka rrëfim ku s’të bëj të pavdekshme;
Si farkëtari i moçëm që i jep hekurit ujë nëpër zjarr,
I shuaj etjen çdo qelize në shpirtin tënd.
E bëra diellin të lindte më herët për ty,
Të besoj natyrshëm e s’e di përse;
E zgjidh konfliktin e stinëve për kufijtë,
Për ty bëhem vagabond, Shën Terezë e Skënderbe!
Dhe kur shtigjet të mos kenë shpresë,
Besim do t’u fal njerëzve udhëtarë;
Do të shfaqem mbi kupolën qiellore për ty,
T’i drejtoj të humburit e dashuruar unë si Ylli Polar!
Tiranë-Prishtinë, Dimër pas Vitit të Ri, 2018
P.S.: Lejohet shpërndarja