30 vjet ma parë me 11 Nandor 1990, mbi qiellin e Shkodrës e të mbarë Shqipnisë u çfaq nji fenomen i jashtzakonshëm, ndoshta i ngjashëm në landë e në trajtë me vegimet hyjnore të Lurdës e të Medugorjes, porse i prekshëm, njerzor, tue të lanë të njëjtën shije që vetëm lirija e ka.

Ata që kanë pasë fatin me e njoftë personalisht nuk kanë si me e mshefë se në kët njeri kishte diçka të jashtzakonshme, nji landë pluksimi prej llavës, gati hyjnore që manifestohej në të, e përmes tij, me tanë thjeshtësinë e gjeninë e nji shpirti njerzor të përvujtun që sapo asht ringjallë.

Kush e ka lexue James Joyse e ka ndjekë Leopold Bloomin në rruget e Dublinit ndeshë edhe dom Simon Jubanin nëpër rrugët e Shkodrës dhe ka të njejtin mendim: Kush asht vazhdimisht në lëvizje, ai ecë paralel me kohën e nuk plaket kurrë. Asnjiherë nuk kena me e kuptue dinamikën e vjetëve të parë të demokracisë shqiptare pa Dom Simon Jubanin, ai jo vetëm e ndezi zjermin e kësaj demokracije në Shkodrën e vjetit 1990, porse i dha asaj ritmin e natyrshëm të ringjalljes.

(anipse u përjashtue nga forcat madhore prej politikës e u la vetëm në shërbimin fetar gjaqë ishte nji autogol për komunitetin e tij, sepse nuk mbeti komunist pa u ba president, porse jo nji që kishte 30 vjet dikaturë mbi shpindë e i dha aq shume demokracisë.).

Dom Simoni Jubani levizë nëpër rrugët e Shkodrës dhe shef se sa me vështirësi po lind demokracija shqiptare, shef komunistët që po bahen mamijat e saj, të gatshme me e abortue foshnjen në bark e ai thërret me tanë fuqinë e zemrës së tij, nuk thehet, nuk perkulet, sepse 30 vjet burg tashma e kanë ba të papërkulun, me integritet apsolut.

Dom Simon Jubani ishte ai shpirti i vrullshem, i pandalshem, nji rregullsi e mrendshme qe vjen mbas tohuvabohut te nji diktature vrastare si ajo komuniste shqiptare, ma gjakatarja në botë, në raport me popullsinë e egërsinë primitive të drejtuesve.

Unë që e kam njoftë personalisht kam pasë fatin e mirë me i thanë si në Shkodër në vjetët e para të demokracisë, njashtu edhe shpesh kur u kthehesha nga Austria me pushime, se shpirti i tij ishte si ai i pentecostës, fryente gjithandej, si nji „flokë boret, prej zjermit.“

Njiherë më pat thanë në arqipeshkëvi kur po hapej „Kumbona e së djelës“ mba 45 vjetësh se „nen nji diktaturë, minoritetet janë ata që shtypen ma shumë, sepse prej shtypjes së tyne diktatori shuen etjen e shumicës, prandaj na duhet me kërkue nga pushteti postkomunist njato të drejta që kena pasë nën osmanët e as ma shumë e as ma pak“….kjo shprehje e tij u ba me kohën legjendare dhe e ka ndi gjithkush në Shkodrën e viteve 90.

Ai vetë meritonte të bahej shumëçka, porse demokracija të cilën ai e ndezi në zemrën e kombit nuk e bani as President e as kisha Ipeshkëv e mbeti ai dom Simoni i thjeshte, si apostulli Jakob që i ra Europës mespërmes me çue fjalën e zemrës, të vërteten e ringjalljes.

Dom Simon Jubani ishte si era e zjermit, nuk ndalej askund, vetem prekte gjithandej me karakterin e tij prej Prometeut. Ai kishte pru zjermin prandaj kërkonte që ky zjerm të vazhdonte me u ndezë e jo me u shue përditë prej postkomunistave.

Prandaj me folë për aurorën e demokracisë shqiptare nuk ka asnji kuptim, pa përmendë dom Simon Jubanin. Koncepti i ti i drejtësise nuk ishte hakmarrja, sepse si meshtar i kshtenë nuk e njifte atë, porse ishte mendimi i drejtë, se vetëm drejtësija na lejon me ndërtue nji shoqni të drejtë e nji demokraci të vërtetë.

KOHA E KALLXOI SA TE DREJTË KISHTE!

Pak të burgosun politike ka që janë dënue në biruca aq shumë sa dom Simon Jubani. Nder 27 vjet burg, 26 i ka kalue në birucen e burgut komunist. Biruca ishte nji dhomë e errët, pa dritë, pa ujë, pa ajër e lagësht, beton i gjallë ku ndryheshin të burgosunit kundra të gjitha konventave e të drejtave të njeriut….

Ky episod i jetes se tij, biruca 26vjeçe, ky burg mrenda burgut, ky ferr mbrenda ferrit, asht i mbushun me nji mister te pafund…

Askush prej bashkohesve te tij as edhe vete dom Simoni nuk ka dashtë me dhanë shpjegim për kët. Të futesh në biruce për fyemje ndaj diktatorit e të mbijetosh, ky asht nji nga misteret e mëdha të jetës se dom Simon Jubanit, të cilen kjo dramë kërkon me tanë përkushtimin e Autorit me e nxjerre në dritë

Kush e ka perjetue diktaturen komuniste e di: ti mund „të llapësh“ gjithçka me gojë e nuk të kanë vra, porse me sha neverhoxhen, nuk të falshin, të vritshin ne vend.

Poetët e dijnë këtë: Tre poetë të mrekullueshem shqiptar – gegë, bashkohës njof unë, që ket guxim prej Prometeut e kanë pague me jetën e tyne: Genc Leka, Vilson Blloshmi e Mikel Beltoja. Tre martirë të kombit e të poezisë shqipe!

Edhe sot në botën e madhe, në segmente të ndryshme të sistemeve njerzore diktatoriale, ti mundesh me kritikue gjithçka, porse jo persona të veçantë. Për atë të presin kryet. Si në Iran si në Korenë e veriut.

Shqipnija ne kurthën e neverhoxhes ishte diçka e perzieme, nji kimerë në mes të Iranit e Koresë së veriut, nji simbioze e Kimit me Ajadollahun. Kush do me e kuptue Shqipninë në këto 45 vjet diktaturë komuniste duhet me pasë para syve kët portret.

Dom Simon Jubani ka krye nji akt të madh demokratik, nji mrekulli, e cila ende nuk asht vlerësue nga institucionet, as laike e as fetare, porse për kët duhet arti, aty ku njeriu pushon me forcën e tij, me kompromiset banale, aty del arti në skenë, si nji vazhdim transhendent.

Diktatura neverhoxhiane i mbylli me nji akt të papreçedent te terrorit shtetnor komunist kishat 2 mijevjeçe Iliro-arbnoro-shqiptare, tue i thanë botës se populli shqiptar i mbylli vetë, ndërsa populli me në krye dom Simonin me të ardhë shkëndija e parë e lirisë i hapi ato, tue hjedhë poshtë mashtrimin komunist e mbi te tana „njollën“ që diktatura i hjedhi kombit shqiptar.

MJAFTON AEDHE VETËM KAQ QË DOM SIMONI ME PASË NJI VEND NDERI NË PANTEONIN E KOMBIT SHQIPTAR!

Anipse dom Simoni as sot 30 vjet mbas aktit social-hyjnor të 11 Nandorit nuk e ka nji bust në Shkodër, asht kjo dramë që po e përjetson atë. Anipse në Shkodër gjithandej jane idhuj të rremë, anipse pjellat e ramizalisë janë gjithandej në pushtet, prapseprapë për ata nuk do e shkruej kërkush nji dramë përjetsimit. Harresa ndaj Dom Simonit, mosvumja në skenë e dramës së jetës së tij kallxon se MOSMIRNJOFTJA ASHT VESI MA I KEQ I NJI SHOQNIJE!

Prandaj vjen sot kjo dramë në përvjetorin e 30- të të meshës së parë të dom Simon Jubanit, sepse nji dramë mundet me e shkrue gjithkush, porse në kët rast duhet me shkrue nji dramë që i rrin frymës e sidomos vuejtjeve e heroizmit të dom Simonit, i cili UROJ QË PREJ ATJE NELT t´mos e tundë kryet me dëshperim, porse të bekoje atë.

Kjo punë e kryeme me nder, kjo dramë kërkon me e dhanë të plotë karakterin e dom Simon Jubanit, se ky asht arti i vërtetë, me dalë mbi njeriun, mbi politikën, mbi vedin e me dhanë të plotë karakterin njerzor.

Unë uroj nga zemra që ata që e kanë njoftë dom Simonin e kanë jetue me të, t´arrijne me gjetë nëpërmjet kësaj drame, shpirtin e tij…Nëse ka nji dramë në 50 dramat e mija që i kam vendosë vulën e zemrës, asht kjo, sepse e kam perjetue vetë në vitet e para të demokracisë shqiptare.

Shoqnisë civile e institucionale në Shkodër u kam kërkue tash sa muej me edukate e mirësjellje që në kët 30 vjetor të dom Simon Jubanit me i ba të gjitha nderimet që i takon e kjo dramë të përhapë shpirtin e tij, si nji rrezatim mirësijet e mbijeteset. Porse mjerisht kalimi në harresë i heroit të vërtetë të demokracisë shqiptare, kallxon edhe nji herë, si dëshmi e kohës, se demokracija në vendin tonë e sidomos në qytetin tonë asht marrë peng nga tallavaja e korrupsioni, nga fanatizmi e reminishencat mesjetare.

Teatri i qytetit qe ka hypë në skena lloj lloj turli personazhesh në egzistencën e tij, nuk i hapë dyert simbolit te demokracisë qytetare shkodrane dom Simon Jubanit. Vendosja e emnave të disa klerikëve shesheve të ndryshme në Shkodër prej këshillit bashkiak të majtë, pa asnji demokrat antikomunist të persekutuem aty, asht edhe kapaku i tallavasë politike që i vendoset demokracisë shqiptare.

Aktualisht pushteti ne Shqipni ka paralele te kobshme me atë të dikaturës neverhoxhiane, ku tre drejtuesat e shtetit qendror në Tiranë si dhe tre drejtuesat e pushtetit lokal ne Shkodër kanë përjashtue çdo përfaqsues të komunitetit katolik në drejtim, tue e përzgjatë kobin e persekutimit të këtij komuniteti.

Në aktin e fundit të dramës, takohen ata që kanë përfitue nga demokracija, ish-komunistë oligarkë, ish-persekutorë, përballë atyne që janë dishepujt e demokracisë së vërtete e nga përplasja e tyne del në pah se askush nuk do me u kujtue ma për dom Simonin, për burimin e paster, të rrjedhshem, të freskët të kroit, porse sejcili mbyllet në hurdhën e qelbun të korrupsionit e të tallavasë….

E kjo asht ajo që e ban artin, dëshmitarin e vërtete të kohes dhe me art e gezon dom Simonin atje nelt, me shpresë se edhe në vendin tonë nji ditë ka me ardhë demokracija, ajo e vërteta, perëndimore, apo siç e quente dom Simon Jubani: Ringjallja e kombit shqiptar.

Gjergj Jozef Kola

Vjenë. 08.11. 2020/Kallnori.org

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.