Përvjetori i 250-të i lindjes së Ludwig van Beethoven – nga Augustin Berishaj

0
619

Sot është përvjetori i 250-të i lindjes së  Ludwig van Beethoven! Çfarë dhuratet e madhe për njerëzimin është muzika e tij! Unë e di që ai nuk mund të shkruante koncerte, simfoni dhe opera si Mozart-i në moshën e tij të hershme, megjithatë ku qëndron gjenialiteti i tij?! Një arkitekt kënaqet kur sheh projekte të hartuara nga imagjinata e vet, një artist kënaqet duke i shikuar veprat artistike të pikturuara nga kreativiteti i vet, ndërsa një kompozitor kënaqet duke dëgjuar muzikën e vet! Por çfarë do të ndodhte nëse një arkitekt apo një artist mbetej i verbër?! Apo një kompozitor të shurdhohej? Papritmas ndjenjat e pafuqisë do fillonin të mbizotërojnë, ndërsa viktima do ndihej i dëshpëruar dhe i zemëruar me fatin! Pikërisht ky ishte fati i përgaditur për Beethoven-in! Ai sapo kishte filluar të shurdhohej! Në letrat e tij ai deklaroi se zhurmat dhe tinguj të tjerë filluan rreth vitit 1796 në moshën 26 vjeçare. Shurdhimi filloi në 1798 dhe deri në moshën 31 vjeçare (1801) ai kishte humbur 60% të dëgjimit. Në 1816 kur i kishte mbushur 46 vjet, ai ishte bërë plotësisht i shurdhër!

Unë nuk mund ta kuptoj se si duhet të ketë qenë për të t’i durojë të gjitha këto! Duhet të ketë qenë e tmerrshme! Sidoqoftë, ai vazhdoi përpara! Edhe pse ai kishte menduar për vetëvrasje, ai vazhdoi!

Ai e ndjente shumë mirë se nuk mund të largohej nga kjo botë pa i dhënë të gjitha që kishte! Dhe zëri i notave brenda kokës së tij që rrjedhnin nga zemra e tij fisnike ishin pasuria e tij më e madhe! Çfarë bën tani Beethoveni? Ai nuk fillon ta urrejë Krijuesin, por vazhdon ta lavdërojë me talentet që i kishte dhënë! Veprat muzikore më gjeniale ai i shkroi gjatë kohës së shurdhimit! Mund të emëroj shumë vepra, por me siguri ajo, për të cilen me vetëbesim dhe krenari ai mund të deklaronte:” Exegi monumentum!” (E ngrita një përmendore) është Simfonia e tij e 9-të kur për herë të parë në historinë e muzikes simfonike prezantohet kori, i cili këndon për gëzim, heroizëm, vëllazëri, dashuri dhe po- për Zotin!

Më 7 maj, 1824 ai qëndroi para orkestrës, plotësisht i shurdhër, gati për të dirigjuar veprën e tij monumentale! Turma çmendej midis kohërave saqë ishte i nevojshem intervenimi i fuqive të sigurisë për të siguruar rendin! Ai e dirigjoi veprën monumentale pa qenë në gjendje të dëgjojë asnjë notë! Sa e trishtueshme, dhe në të njëjtën kohë sa sfiduese dhe madhështore!
Violinisti i atëhershëm Joseph Böhm shprehet: “Beethoven-i dirigjoi veprën vetë, domethënë, ai qëndronte në skenë dhe gjestikulonte si i tërbuar. Ndonjëherë ngrihej, ndonjëherë ulej madje deri në tokë! Ai lëvizte sikur të donte t’i luante të gjitha instrumentet vetë dhe të këndonte për të gjithë korin. Të gjithë muzikantët kur luanin kishin parasysh vetëm ritmin e tij.


Ky monument simfonik është si një oqean që përmbledh shumë lumenj: Lumin e gëzimit, e të qeshurit, lumin e vuajtjes, e dashurisë dhe sidomos atë të paqes! Secili nga ne do notojë në këto lume! Për këtë arsye, njeriu që dëgjon siç duhet mund ta identifikojë lehtë vetveten në muziken e tij! Mjafton vetëm t’i përdorë veshët dhe t’ia lëshojë rrugën shpirtit, dhe jo t’i ketë sa për dekorim! Më 7 maj 1824, secili që e dëgjoi në teatër këtë simfoni mund të thonte:”TANI MUZIKA NDRYSHOI PËRGJITHMONË

Thonë se pushtimi i vetvetes është fitorja më e madhe! Beethoven me të vërtetë e kishte pushtuar veten! Dhe arti ishte arma e tij! Faleminderit shumë, Beethoven për muzikën tënde! Faleminderit që me mësove përmes muzikës se njeriu mund të jetë vetvetja vetëm nëse drejtohet nga dashuria,  pastërtia, nderi dhe morali! Falendëroj edhe Zotin që më dha hirin ta vlerësoj muzikën e tij! Shpresoj të takohemi një ditë, Ludwig!”

«Bach-u na e dha Fjalën e Zotit. Mozart-i na e dha Buzëqeshjën e Zotit. Beethoven-i na e dha Zjarrin e Zotit. Zoti na e dha Muzikën që të mund të lutemi pa fjalë! »  – citim nga një teatër gjerman.

-Augustin Berishaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.