Të nderuar të pranishëm,
Adhurues të librit, të folklorit, në veçanti të poezisë, e më specifik, asaj të dashurisë;
E nderuara autore e përmbledhjes së kësaj pasurie popullor, me shekuj të lënë pas dore, zonja Vlora Nikçi;
I nderuari studiues i folklorit shqiptar, profesor Rrustem Berisha;

Të nderuar interpretues dhe bashkëbisedues në këtë mbrëmje,
Ndihem i privilegjuar që m’u dha rasti që të përmbledh dhe t’ua shpreh këtu sonte, disa mendime lidhur me përmbledhjen “Këngë popullore erotike”, të artistes sonë Vlora Nikçi.

Letërsia popullore në përgjithësi paraqet thesar të paçmueshëm, ku ruhet pasuria shpirtërore e një populli, e që në vete mban krejt filozofinë e jetës në të kaluarën, kurse mbledhësit e folklorit, si ruajtës të këtij thesari, paraqesin bletën kombëtare. Prandaj, mbledhësit e folklorit kanë zënë vend shumë të lartë në listën e atyre që i kanë kontribuar kombit. Ajo që me shekuj i ishte besuar memories kolektive, po të mos kishte pasur njerëz që ia kanë ditë vlerën dhe e kanë grumbulluar, do të ishte humbur plotësisht. Kështu e kuptoj edhe këtë përmbledhje të artistes sonë Vlora Nikçi, e cila kaloi pragun e guximit të rilindësve tonë, të cilët, poezisë erotike, në kuptimin e kësaj Përmbledhjeje, nuk i dhanë vendin, e as vëmendjen e merituar.

Arsyet se pse këngët erotike nuk ishin në fokus të vëmendjes së mbledhësve të folklorit rilindës, nuk është nevoja t’i hamendësojmë, pasi që ata kryesisht ishin të fokusuar në mbledhjen e atyre pjesëve të folklorit që kanë të bëjnë me ngritjen e krenarisë dhe vetëdijes kombëtare, e më pak me atë se çfarë ata ndienin, apo asaj se cilat ishin raportet midis dy gjinive. Por, po ashtu, dua të pajtohem me autoren dhe fjalën e sajë në parathënie, se ishte edhe çështja e moralit, arsyeja që këto poezi i kishte mënjanuar nga vëmendja e tyre.

Mirëpo, duhet pasur para sysh dhe vlerësuar faktin se edhe këngët për kreshnikët, për trimat, për luftërat, për humbjet e fitoret, apo edhe kur vajtohej, tema këto që dominojnë në poezinë tonë popullore, përmbajnë mjaft elemente që flasin për raportet mashkull-femër. Po përmendi këtu Aga Ymerin, Begzaden, Hysen Agën, Mujin e Halilin etj.
Por, derisa në këngët për trimat, dashuria paraqitet si sakrificë, si shenjë e besës dhe besnikërisë, e që tërheqëse për njëri tjetri është bukuria fizike e shpirtërore, ndërkaq, në këngët erotike, dominon ma tepër elementi i pastër erotik, joshës, epshorë.

Duhet thënë se botimet e këtilla thyejnë tabutë dhe i japin mundësi lexuesit që të shijojë diçka nga ajo se si kanë dashuruar, apo si e kanë shprehur dashurinë të parët tonë, në kohë kur as letërkëmbim nuk kishte, në kohën kur takimi caktohej me “njat dekik që të dalin hana”, me ditën e daljes në bjeshkë, me të hënën e Pashkëve…përmes shenjave e shiharetve, apo edhe përmes një guraleci mbi pullaz.

Siç vërejmë edhe nga kjo përmbledhje, poezia erotike shumë më tepër lidhet me botën femërore, me bukurinë e saj dhe me dashurinë ndaj sajë. Edhe epitetet, në shumicën e rasteve, janë ato që flasin për bukurinë femërore, vetullat, sytë, buzët, gjinjtë, e kështu me rrallë, e shumë më rrallë për bukurinë mashkullore. Por, po ashtu mësojmë se edhe perceptimi për bukurinë e vashës ka ndryshuar me kohën. Kështu, në të kaluarën, e bukura që i bënte xheloze shoqet ishte ajo që nuk e zinte dera të hyjë brenda, me vithe të gjera, “Moj e mira vithe gjanë”, apo ajo “me fytyrën sa një qëth”, kishim thënë ne në Malësi.

Pjesë tjetër e trupit që dominon në erotikën popullore, e edhe në këtë libër, janë gjinjtë e femrës, si pjesa më tërheqës dhe më e dëshiruar nga burrat.

Duhet përmendur faktin se këngët i takojnë kohës kur femra shihej si bartëse e punëve të rënde dhe lindjeve të shumta, prandaj ky segment mund të kuptohet edhe si lidhje me pjellorinë, e jo vetëm element i bukurisë, ani se, mënyra dhe kontesti flet më tepër për atë se sa të dëshiruara janë, ashtu enigmatike, të fshehura pas këmishës “së hollë që u le lezet, apo të trashë që i vret”, e që lidhen me seksualitetin.

Mirëpo, autori popullor, në shumicën e rasteve, është ruajtur që të mos e “vulgarizoi” erotikën deri në atë mas, që të paraqesë aktet reale, siç është rasti në ilustrimet që i bëhen këtij libri. E them këta, pasi që si lexues i pasionuar, ndoshta pak më tepër konservativ, mendoj se ilustrimet sikur ia kanë ulur vlerën dashurisë që buron nga tekstet e këngëve, duke e shndërruar atë në akt. Sikur kanë lakuriqësuar atë që autori popullor me qëllim e lë të fshehur. Këtu po veçoj ilustrimin që përcjell këngën “Nusja e çika e bajnë kuvendin”, që në libër vjen në tri variante, ilustrimi i së cilës më kujton anekdotën mbi gomarin e Pistalocit, i cili mes dy grumbujve me sanë, ngordh nga uria.

Por t’u kthehem 72 këngëve, të librit, të cilave u paraprinë parathënia e autores, që flet ashtu siç ndien, dhe duke folur, sikur bashkë-ndien me fatin e personazheve të poezive, por edhe të këtyre këngëve, të mbetura në terr.
Dihet se në të gjitha kohërat e shoqërisë njerëzore ka pasur dashuri, dhe kryesisht u është kënduar dashurive të palejuara, të fshehta, madje të rrezikshme, e shumë më rrallë dashurive që janë realizuar në martesë.

Takimi i një çifti të ri (në atë dekik çi të dali hana), nuk ka qenë pa rrezik, nga qentë, pritat, xhelozia apo edhe nga vëllazëria dhe jo çdoherë ka ndodhë mes të rinjve që kanë pas qëllime ta kurorëzojnë dashurinë e vet. Dashurinë e palejueshme, madje edhe flirtin, e gjejmë që në këngën e parë “Moj e mira në ato male”, ku vargjet më poshtë këtë e bëjnë të qartë: “Lajmi mirë e bami llum, i madhi Zot t’i puthsha unë! Ti puthsha unë sa i puth nji tjetër, puthsha syrin me gjithë vetull…”

Kënga tjetër “Moj e mira në hije të blinit”, e cila në një variant tjetër motiv ka “thyerjen e kurorës”, flet për dëshirën e madhe të djaloshit të pamartuar, madje edhe për të ndërruar jetë në prehrin e asaj që do, e që është e martuar. Apo, shembulli kur femra dashuron dikë tjetër, e jo atë që ka në gji, si te “Moj e mira në ato Boka” që sjellët në dy variante.
Në disa poezi takojmë rastet kur edhe burri edhe gruaja dashurojnë dikën tjetër, si për shembull te kënga ”Moj e mira syrin e zi”, “Ku je kën çi je vonua, tana teshat t’u kan lagshtua? A po m’pan a don mem lshua? Rri more nuse rrit kta fmi! Dreqi i hakt ni i kam me ty, ti me nuse unë me djem t’ri…”

Poezia “Dy të mirat në katund” vjen në katër variante. Erotizmi i këngëve në fjalë, del aq lakuriq sa që nuk të lë të dyshosh se çfarë ndodh mes dy të rinjve. Erotizmi vërehet që nga shikimi, nga dëshira për të parë ato pjesë që nuk i sheh, duke ëndërruar këmishën e hollë apo të shqyer, për të krijuar imagjinatën për të tjerat që pasojnë në dashuri.
Për dashurinë me shikim të parë ka shumë këngë. Veçoj “Për herë të parë çikë kur të pashë në krua”
Në disa këngë vjen në shprehje edhe konkurrenca ndër-femërore si për shembull “Çika çikës po i çon fjalë”.
Autorët e këtyre këngëve nuk mund të kënaqeshin me faktin se dy të ri u futen në një dhomë, u fshehën pas një stogu, apo ahurit, e atë çka bëjnë t’ia lënë imagjinatës, por shkohet përtej. Kjo shkuarje përtej mbetet në dëshirat për “ta puth, kafshua, kalua natën” etj., me atë që i ka trazuar shpirtin. Në shprehjen e këtyre dëshirave, nuk kursehen fjalët as shprehjet që nxisin epsh.

Nga këto kuptojmë se as të parët tonë, edhe pse pa celular e facebook, nuk i kanë lënë gjë mangut dashurisë. Se edhe ata kanë hetuar dallimet në trup dhe në dëshira, se edhe ata ishin të gatshëm për sakrifica, për hir të asaj që ua impononin këto dallime. Në këto dallime, në ëndrrat dhe dëshirat që vinin me to, gjenin frymëzimin autorët anonimë popullorë.
Por duhet ditur se këto këngë fshehin shumë edhe përtej kësaj. Fshehin në vete shumëçka jo vetëm nga raportet midis gjinive, por edhe rrethanat në të cilat njerëzit kanë dashuruar.

Po ashtu vlen të shtohet se përmes këtyre poezive, njihemi me kushtet e jetës baritore, që kryesisht e bënin banoret e viseve nga rrjedhin këngët. Kështu “dada pret jaranin”, i qëndisë shaminë, le takimet në bjeshkë ku jarani nuk preton të dalë, lahet në përrua, ku e sodit i dashuri, mbush uji te kroi, e ai i kërkon ujë me pi, i vjell me sy gjirin që i ka dalë nga këmisha e shkopsuar.

Duke pasur librin në dorë vetëm tre ditë para këtij promovimi, edhe karshi obligimeve të shumta, tentova të shikoja këto këngë ashtu siç janë, pjesë e folklorit burimor, që begatojnë trashëgimin tonë kulture, duke përgëzuar e vlerësuar lartë autoren Vlora Nikçi për guximin intelektual, durimin dhe përkushtim, për ta ruajtur nga harresa, këtë pasuri, kështu të virgjër, të pamodifikuar.

Në fund edhe disa fjalë për sa i përket poetikës së veprës. Autori popullor edhe për faktin se ka përdorur shprehje krejt të drejtpërdrejta për gjinjtë dhe shprehje aluduese për pjesët e tjera, këngët i ka pasura edhe me gjuhën e figurshme, ku dominojnë epiteti dhe metafora. Edhe pse thamë se bukuria e vashës matej me madhësinë e saj, në folklorin tonë, e edhe në librin në fjalë, gjejmë epitete, e hollë e e gjatë apo flokët e gjatë, çikë flokëgjata, me të cilat përshkruhet bukuria e femrës.

Në përmbledhje është ruajtur gjuha që e ka përdorë rrëfyesi, ritreguesi, me çka edhe ruhet gjuha burimore e popullit.
Në përfundim dua të shtoj se senzualiteti dhe seksualiteti që dominojnë në përmbledhjen “Këngë popullore erotike”, sikur njohurive që kemi pasur për lirikën erotike, i shton edhe një kuptim tjetër, atë të erosit, çka edhe e dallon nga lirika e mirëfilltë erotike. Sepse, sipas klasifikimit, kuptohet, lirikë erotike janë edhe poezitë “Mall” e Kdaresë, edhe “Malli” i Lasgush Poradecit, apo edhe këngët e dasmës.

Libri përfundon edhe me disa melodi dhe regjistrin e personave nga kush janë shënuar këngët.
Unë dua t’ju them se kam lexuar vetëm librin, e asgjë për librin, kështu që edhe këto mendime që i ndava me ju janë krejt origjinale, të pandikuar, pa qofshin edhe të pa qëlluara!
Faleminderit!

(Nikollë Camaj, në promovimin e veprës, në Ulqin, më 18. 06. 2022.)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.