Nga Jerina LUKA

“Ky kje, ky âsht fisi i shqyptarit… Jetoi gjithmonë i lirë edhe në robni. Pse liria nuk êpet, nuk bierret, nuk fitohet. Lirija gufon kur trolli i sajë të jetë i shndoshtë, ku nendheu të ketë fuqi me e mbajtë të ngrohtë, me e ushqye. Lirija mugullon, qet synin, zberthen, shprazet, hin nen dhé, zhduket. Pret. ”

Gjon SHLLAKU o.f.m “Shyptari – Frati – Shqypnia”, Revista “Hylli i Dritës” (1940)

Pas rënies së Komunizmit dhe me ndryshimet që pësoi sistemi politik në Shqipëri gjatë viteve ‘90, vendi u përball me shumë sfida. Një ndër këto ishte angazhimi për të treguar atë se çfarë kishte ndodhur gjatë thuajse 5 dekadave vuajtje. Të kërkosh të trashëgosh memorien e fakteve ashtu siç realisht kanë ndodhur, është një sforcim paradoksal, që në rastin e sistemeve totalitare, historia ka provuar, se çështja bëhet edhe më problematike. Shumë nga ata që e kanë jetuar në vetë të parë terrorin e këtij regjimi te egër nuk kanë mbijetuar. Ndërsa të tjerë që kanë mbijetuar nuk arrijnë t’a përcjellin atë që realisht kanë hequr dhe janë gati të paaftë të artikulojnë deri në fund eksperiencat e jetuara.
Ky shkrim është një përpjekje për të hedhur dritë mbi një prej viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai ishte Pater Gjon Shllaku, një klerik katolik që i përkiste urdhërit françeskan, studies, edukator i brezit të ri të kohës në të cilën jetoi.
Shllaku ishte një nga figurat qëndrore të Françeskanëve. Ai ka patur një angazhim të rëndësishëm në aktualitetin e kohës duke u pëfshirë në debatet e asaj periudhe me qëllim emancipimin e shoqërisë shqiptare. Ky artikull përmban një përshkrim të shkurtër të jetës së Pater Gjon Shllakut dhe kryesisht analizon disa nga pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme që ai ka trajtuar përmes shkrimeve të publikuara në revistën “Hylli i Dritës”.

Një përshkrim i shkurtër i jetës së Pater Gjon Shllakut
Kush ishte Pater Gjon Shllaku dhe mbi të gjitha, cili ishte mendimi i tij për shkak të cilit diktatura komuniste vendosi t’a eleminojë fizikisht? Kolë Shllaku (ishte emri i tij i pagëzimit) lindi më 27 korrik 1907 në Shkodër. Vinte nga një familje e thjeshtë qytetare që vlerësonte dijen dhe kulturën. Kur Kola mbushi moshën, e ëma e regjistroi në shkollën fillore të françeskanëve. Më pas ai vazhdoi gjimnazin ku u dallua si një student i shkëlqyer. Me 4 tetor të vitit 1922, në Troshan, ditën e Shën Françeskut, veshi petkun e françeskanit dhe aty filloi jetën e tij rregulltare, duke ndërruar emrin e pagëzimit në Gjon dhe që nga ajo ditë ai do të njihej me emrin Gjon Shllaku.

Me vonë, si të shumë fretën françeskan, Shllaku u dërgua me studime jashtë vendit. Ai shkoi në Hollandë ku kreu studimet për teologji. Më pas u kthye në atdhe dhe me 15 mars të vitit 1931 u shugurua meshtar. Në po këtë vit shkoi për studime të mëtejshme, i rekomanduar nga Provinciali i atëhershëm Pater Vinçenc Prennushi, në Louvain të Belgjikës. Atje, Pater Gjoni ndoqi studimet për shkenca natyrore e më vonë, në vitin 1936, mbrojti në Universitetin e Sorbonës (Paris) doktoratën për filozofi me temën “Aktualizmi i G. Gentile”.
Menjëherë mbas përfundimit të studimeve, ktheu në vendlindje dhe iu dedikua jetës rregulltare e akademike. Filloi të japë mësim në Liceun “Illyricum” në Shkodër, lëndët e filozofisë, frëngjishtes, politikës dhe ekonomisë. Për një periudhë kohe u bë drejtues e publicist i revistës “Hylli i Dritës”.
Si drejtor dhe përgjegjës i revistës “Hylli i Dritës”, Shllaku mblodhi rreth vetes pendat më të mprehta të kohës. Në vatrën fishtjane, ku për vite me radhë u shkri platforma e Shqipërisë së Lirë e të Përparuar, u ulën shkrimtarët e rinj më të spikatur dhe personalitete të shquara të kulturës si Faik Konica, Fan Noli, Eqerem Çabej, Terenc Toci, Mustafa Kruja, Ibrahim Dibra, Kasem Bajrami e shumë të tjerë. Mirëpriti mendime të hapura, por pa iu shmangur parimeve kristiane dhe zhvillimit të kulturës shqiptare. Kishte dëshirën e madhe t’i sillte Shqipërisë idetë më të mira dhe bashkëkohore të botës së qytetëruar dhe i dha të përkohshmes një format të ri, më tërheqës për brezat e rinj.
I qe ngarkuar drejtimi i “Djelmnisë Antoniane”, një shoqëri që merrej me jetën dhe aktivitetet kulturore të qytetit të Shkodrës. Kjo shoqëri përbëhej jo vetëm nga nxënësit e Liceut “Illyricum”, por edhe nga ish-studentët e këtij gjimnazi, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë e zanatlinj të njohur. Ata organizonin shfaqje, koncerte dhe vinin në skenë vepra të ndryshme të letërsisë klasike.
Me 30 dhjetor të vitit 1940, një natë para se te vdiste, Atë Gjergj Fishta kërkoi të kishte pranë Pater Gjonin. Fishta zgjodhi pikërisht Shllakun si personin që “do t’i linte amanetet” për Provincën Françeskane, shkollat, studentët, “Hyllin” dhe Shqipërinë. Ai ndoshta pa tek Pater Gjoni trashëgimtarin e denjë për të vazhduar çdo detyrë të nisur nga të tjerë, por të pasuruara nga vetë Fishta dhe nga të gjithë vëllezërit e tjerë françeskanë.
Pater Gjon Shllaku, për shkak të qëndrimit të tij antifashist, qe shtrënguar të emigrojë në Jugosllavi kur trupat fashiste në vitin 1939 shkelën qytetin e Rozafës. Ai ktheu në qytetin e lindjes vetëm në qershorin e 1940-ës. Nuk pranoi kurrë padrejtësinë, dhunën e nëpërkëmbjet dhe ishte gjithnjë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, një botëkuptim ky, që e përcolli qartë përmes editorialeve të tij.
Në Shqipëri, nën maskën e atdhetarizmit, nisën të përhapeshin ide e parime të marksizmit bolshevik. Pater Gjoni, si një person i formuar dhe që njihte mirë pasojat që do të sillnin këto ide, vendosi të reagojë me anë të një seri konferencash publike për këtë temë.
Ishte janari i vitit 1946 kur u arrestua. U akuzua për çështje nga më absurdet dhe u torturua në burg. Avokati mbrojtës i tij në gjyqin qesharak që iu sajua ishte ish studenti i gjimnazit françeskan, Myzafer Pipa i diplomuar për jurisprudencë në Universitetin e Padovës. Mbrojtja brilante që ai i bëri Pater Gjonit më vonë do t’i kushtonte jetën avokatit të ri. Pater Gjon Shllaku u dënua me vdekje dhe më 4 mars 1946 u pushkatua në moshën 39 vjeçare, pranë bregut të lumit Kir, në qytetit e Shkodrës.
Shllaku ishte një intelektual i mirëfilltë. Në formim e në instikt ishte filozof edhe pse pa frikë mund të thuhet se kishte një sy të mprehtë prej sociologu apo se njihte shumë mirë psikologjinë e shoqërisë shqiptare. Gjithashtu gjatë gjithë jetës së tij profesionale ai provoi se ishte një akademik serioz dhe një publicist i aftë.

Fig. 2 Pater Gjon Shllaku O.F.M gjatë një prej seancave të gjyqit. Afër tij (përpara) Mark Çuni, student i kolegjit Saverian në Shkodër

Fati i Kishës në Rusinë Komuniste

Pater Gjon Shllaku ishte shprehur hapur kundër Komunizmit. Ai e dinte shumë mirë se komunizmi në Rusi kishte marrë formën e një sistemi të mirfilltë ekonomik, social e politik, por ajo që mund t’a shqetësonte edhe më shumë ishte se ky sistem kërkonte eleminimin e fesë. Pater Gjoni e njihte shumë mirë doktrinën frymëzuese të komunizmit, baballarët e të cilës ishin Karl Marks dhe Friedrich Engels. Ata mohojnë ekzistencën e një perëndie supreme transhendentale, nga ku vjen dhe varet çdo gjë. Sipas Marksit “Feja është opium për popullin” ndërsa sipas Engelsit “Duhet hequr qafe gjithçka që ka lidhje me të mbinatyrshmen dhe me mbinjerëzoren duke i shpallur luftë feve”. Marks dhe Engels ishin baballarët e një “feje” tjeter që quhej komunizëm ateist.
Shllaku si njeri i fesë dhe i formuar në filozofi i druhej fort të keqes që do të sillte më vonë ky sistem i ri. Në të vërtetë komunizmi ka rezultuar si një regjim totalitar që ka shtypur një pjesë të madhe të njerëzve dhe kjo është e dokumentuar në të gjithë historinë e vendeve që kanë vuajtur nga ky sistem. Ishte pikërisht kjo gjendje që e friksonte At Gjon Shllakun, pasi ky “religjion” do sillte transformimin e Shqipërisë dhe do të përcaktonte fatin e Kishës. Ai ishte në dijeni se një nga aktet e para të revolucionit bolshevik ishte të shkatërronte çdo ndikim shoqëror të Kishës në Rusi.
Më 23 janar 1918 në Rusi, Këshilli i Komisariatit të Popullit dekretoi ndarjen e plotë të kishës nga shteti e nga shkollat dhe konfiskoi të gjithë pronat dhe trashëgiminë kishtare. Në vitin 1923 atje u themeluan dy gazeta haptazi ateiste të emërtuara: “Pa Zotin” dhe “Shkolla e atyre që nuk kanë Zot”.
Që nga viti 1920 në Rusi filluan të mbylleshin shumë kisha; nisi gjuetia kundër klerit, duke e akuzuar atë për veprime antikomuniste dhe spiunazh në dëm të regjimit. Nën këtë justifikim u arrestuan qindra priftërinj, u gjykuan, u burgosën, u internuan në Siberi dhe një numër i madh u dënua me vdekje.
Një statistikë e referuar nga zyra sovjetike e shtypit në Londër, e datës 21 gusht 1941, jepte të dhënat e mëposhtme për vrasjen e klerikëve në Rusi ku: nga 46.457 kisha ekzistuese që ishin në vitin 1917, mbetën hapur vetëm 4.225 të cilat mund të ushtronin një kult të kufizuar dhe do të ishin të kontrolluara nga policia. Gjithashtu nga 50,960 priftërinj, që ishin para revolucionit, mbeten në detyrë vetëm 5,665 dhe ishin të detyruar të betoheshin me besnikëri ndaj ligjeve të shtetit komunist.
Frika dhe intuita e Pater Gjonit, përceptimi i tij për ardhjen e një rreziku të madh, për fat të keq, u vërtetua pasi ajo që i ndodhi Kishës Ruse u aplikua më vonë edhe në Shqipëri tek të gjitha besimet, por në veçanti u godit Kisha Katolike.

Mendimi i Shllakut për Komunizmin Bolshevik

Padër Gjon Shllaku e dinte se regjimi komunist kishte si synim pushtetin absolut dhe se kjo do të sillte diktaturë dhe tirani. Kishte aftësinë të kuptonte se në Rusi pavarësisht se propagandohej demokracia në fakt komunistët bolshevik kishin si qëllim të qeverisnin vendin nga një grup i vogël njerëzish dhe populli duhej vetëm të nënshtrohej. Zhvillimet në Rusi e shqetësonin Shllakun e për këtë motiv ai botoi në revistën Hylli i Dritës shkrimin me titull “Zija në Rusi. Dhetë miljon vetë dekë ûjet në vjetin 1933” (1934).
Në këtë shkrim autori analizon në detaje situatën politike dhe ekonomike në Rusi gjatë periudhës së komunizmit, të vendosur atje që prej vitit 1918. Ai paraqet një këndvështrim shumë kritik mbi gjendjen në Rusi dhe ndoshta trajton këtë temë për lexuesit e revistës, jo vetëm për qëllime informimi se çfarë ndodh jashtë territorit shqiptar, në Rusinë e largët, por edhe për t’i hapur sytë qytetarëve të vendit të tij se çfarë fati i pret njerëzit nga një sistem i tillë.
Ndoshta Shllaku merr parasysh faktin se Rusia ka influencën e saj historike në Jugosllavinë e asaj kohe dhe duke qenë e kufizuar me Shqipërinë ai parandien gati në mënyrë profetike se Shqipëria mund të cenohet një ditë nga ajo që po ndodhte në Rusi. Ai ishte i alarmuar nga zhvillimet atje dhe gjatë artikullit shkruan: “Kjo katastrofë nuk âsht këso kohe nji fenomen për të cilin âsht përgjegjëse natyra e moti; faji randon mbi ndërgjegjen e prijsave e drejtuesve t’atij shteti, të cillt, per me rrealizu idologán e terbueme të vet s’çajn kryet për miliona nierz qi do të sakrifikohen, si robt e Faraonave, veç të munden me ia dalë e me krye atë pyramide fantastike të shtetit proletár”.
Sipas tij, Lenini nuk pati durimin të realizonte një evolucion të ngadalshëm sipas modelit origjinal të Karl Marksit, por shpiku një “revolucion artistik” që e realizoi përmes masës popullore të përbërë nga punëtorë të thjeshtë, bujq dhe ushtarë duke ndërtuar kështu shtetin e ri komunist të Rusisë. Sipas Shllakut, bujqërit e kuptuan shpejt se u shfrytëzuan dhe u gënjyen nga demagogët e qeverisë së atëhershme me qëllimin e vetëm për të ndërtuar një diktaturë bolshevike.
Kështu 85% e popullsisë ruse, që përbëhej nga bujqësia nuk ishte më e të njëjtit mendim politik me drejtuesit e asaj qeverie. Për këtë motiv nisi një luftë e rreptë dhe sistematike kundër bujqve të cilët i vranë, i grabitën pronat apo i vendosën taksa të larta gjë që i detyroi ata që t’i shisnin pronat.
Autori në këtë shkrim bën gjithashtu një analizë ekonomike të Rusisë, ku është skeptik për hapjen e fabrikave për popullsinë bujqësore ruse, të pa eksperiencë në këtë tipologji të re pune. Kjo, sipas tij, i solli Rusisë varfërinë e vitit 1922. Ai e konsideron si paaftësi të Stalinit shndërrimin e Rusisë nga një vend bujqësor, në një vend industrial në një kohë aq të shkurtër vetëm se kishte egon që t’ia kalojë shteteve të tjera në perëndim. Shllaku sjell në vëmendje suficitin e prodhimit të automjeteve në Nizhny Novgorod dhe atë të traktorëve në Stalingrad. Gjithashtu bën një bilanc për tregtimin e këtyre produkteve dhe analizon tregun e jashtëm rus duke marrë parasysh konkurrencën që ky shtet kishte me Poloninë, Gjermaninë e Amerikën. Autori del në rezultatin se, për shkak të tregut të jashtëm dhe konkurrencës, 85% e traktorëve të prodhuar nuk mund të shiteshin jashtë Rusisë e për këtë arsye ata dolën jashtë përdorimi. Mendimi i Shllakut ishte se kjo i shkaktoi kombit Rus një katastrofë të paevitueshme ekonomike, i cili u zhvesh nga gjithçka dhe arriti deri në uri për bukë.

Mendimi i Shllakut për shoqërinë shqiptare

Pater Gjon Shllaku ishte njohës i mirë i psikes së shoqërisë shqiptare, shumë i ndjeshëm në çdo kohë dhe i aftë për t’a analizuar atë. Kjo konstatohet në disa nga shkrimet e tij të botuara kryesisht tek revista “Hylli i Dritës” ku për një kohë të caktuar ai është edhe drejtuesi dhe kryeredaktori i saj.
Në shkrimin me titull “Mos të përçapemi” të vitit 1937 , Pater Gjoni paraqet pikëpamjen e tij për skenarin e Shqipërisë dhe shqiptarëve çerek shekulli pas shpalljes së pavarësisë. Shllaku është i mendimit se shqiptarët, pas më shumë se dy dekadave vetëqeverisjeje, me një Shqipëri përherë e më miqësore me fqinjët e vet “që jeton e thithë atë atmosferë t’ambel lirije e pamvarësije”, nuk kanë pse të jetojë me frikën se vendlindja e tyre mund të pushtohet sërish nga të huajt, apo të ushqejnë veten me sentimente të ekzagjeruara nacionalizmi, por duhet të ruhen nga njerëz apo grupe të ulëta vendase apo të huaja që mund të vijnë në Shqipëri për të “provu aventurat e tyne…”. Ai në këtë shkrim kundërshton idenë se Shqipëria e shqiptarët janë të paaftë për t’u rimëkëmbur si komb pas gati 5 shekujsh të sundimit osman, dhe se me shumë punë, ide e maturi, shqiptarët mund t’i provojnë botës se mund të rreshtohen në vargun e popujve të përparuar.
Pater Gjon Shllaku është i vetëdijshëm për realitetin e kohës dhe për vështirësitë që shqiptarët do të përballen në realizimin e këtij qëllimi edhe për faktin se siç shkruan vetë ai: “Megjithëse i vogël si perkahë pershîja si edhè per kahë numri i banorëve ky vendi i ynë, na paraqitet me nji aglomerasion botëkuptimesh diametralisht të ndryshme, aqë sá shum kuj i shkon mêndja se do t’ishte mâ mirë, per të forcue njisimin e ndiesive kombëtare, me i zhdukë ato (botëkuptimet e ndryshme) të gjitha, tuj marrë shêmbullin e ndo’ i vêndi të prêndimit e me êndë e hartue nji system të vetëm referece vlerësh thjeshtë e ekskluzivisht kombëtare…” Sipas këtij shkrimi, për Shllakun, ka një abuzim me domethënien e fjalës “kombëtar”, pasi Shqipëria si një vend i lirë për 25 vite vetëqeverisje nuk mund t’a vendosi më theksin e zhvillimit tek ky term thjesht për qëllime të shfrimit politik, por duhet të bëjë një hap më shumë drejt zhvillimit të vërtetë duke respektuar diversitetin e mendimeve në mes të shoqërisë dhe jo një unifikim të sajin. Shqipëria, per autorin, duhet të zhvillohet e të lulëzojë në mes të mendimeve heterogjene, sigurisht deri aty ku nuk cenohet interesi i përbashkët i shoqërisë, pasi vetëm kështu zhvillimi është i vërtetë. Sipas tij një shoqëri homogjene paralizon mendimin, dijen, evoluimin dhe se njeriu përveç sentimenteve ka edhe arsyen e cila duhet të ndjekë dijen dhe të vërtetën kudo që ta gjejë, pa u ndikuar nga propaganda që ai e konsideron si mjet për të realizuar homogjenitetin e mendimit të shoqërisë. Ai është kundër demagogjisë dhe pro studimeve e sidomos ato në fushën e filozofisë dhe sociologjisë si mjete parandaluese ndaj pezmatimit apo vdekjes së mendjes së shoqërisë.
Tek shkrimi “A po kuptohemi?!” (1938), një shqetësim i madh Shllakut është mos thellimi apo idetë sipërfaqësore të kujtdo e kudo që ato burojnë.
Ai i referohet kryesisht fenomenit që kishte filluar të shfaqej përmes disa personave që në atë kohë vetëquheshin progresistë, ndriçues apo nacionalistë dhe që sipas tij kishin vetëm thënie dhe arsyetime bombastike pas të cilave fshihej një manovër e rafinuar oportunizmi për të realizuar interesat e tyre vetjake. Për Shllakun ky fenomen ishte gjëja më e dëmshme për shoqërinë shqiptare sepse kjo mënyrë bjerrte besimin tek ajo çfarë shoqëria ka realisht për zemër, formon një lloj apatie dhe kështu zënë fill një anarki idesh prej të cilave herët apo vonë mund të gjenerohen katastrofa të mëdha në jetën dhe mbarëvajtjen e Kombit.
Një mentalitet i tillë, sipas autorit, lejon që asgjë të mos merret seriozisht dhe shuan tek individi çdo ndjesi shqetësimi për ngjarjet e çrregullta deri në atë pikë sa këto ngjarje jo normale apo jo të mira të bëhen të domosdoshme dhe ku individi të plotësohet, të gëzohet e të kënaqet në kaos.
Pater Gjoni e pranon se nuk është një punë e lehtë të kesh ide, dhe sigurisht as t’i realizosh ata, por është i mendimit se të paktën detyra e jonë është të rrënjosim në psiken e shoqërisë shqiptare normat gjallëruese të frymëzuara nga dashuria dhe drejtësia universale si bazë për të ndërtuar idenë e Shtetit e të Kombit. Ai vetë përforcon idenë e tij duke cituar Louis Pasteur që thoshte se “Madhënija e veprave njerëzore matet me frymëzimin që i ka bërë të lindin.” Sipas Pater Gjonit, shoqëria shqiptare duhet të kërkojë idetë e saj tek vlerat e vërteta dhe nëse këtyre ideve u shkohet deri në fund me aksione konkrete, vetëm atëherë, mund të realizohen vepra të mëdha dhe zhvillimi është i padiskutueshëm.

***
“Jemi mësue me i lanë Turkut t’Azisë tanë fajin e gjendjes së mrapametun të jetës s’onë morale, politike dhe ekonomike. Kemi arsye, por deri dikû” fillon shkrimi me titull “Nuk dijme shka duem, pse nuk duem shka dijm” i Pater Gjon Shllakut. Me tej ai vijon duke theksuar faktin se Turku i Azisë ka ikur me kohë nga territoret tona dhe nuk kemi më të drejtën ta përdorim si pretekst për moskujdesin e plogështitë e shoqërisë shqiptare. Të gjitha shtetet Ballkanike kanë pësuar të njëjtin fat, por sipas Shllakut kanë ditur të kurohen nga e kaluara pa iu nënshtruar fatalizmit aziatik.
Sipas tij, është historia mësuesja e jetës që duhet të orientojë në mënyrë të qartë së çfarë drejtimi duhet të marrë shoqëria shqiptare dhe se cili duhet të jetë plani i rimëkëmbjes së Kombit. Ai citon Vangjo Nirvanën që në një shkrim të tij tek Përpjekja Shqiptare shkruan: “Që të shpëtojmë nga shtërpësia jonë shpirtrore, duhet të lidhemi prapë me të vdekurit t’onë të mdhenj, kemi një sot që duhet t’a kapercejmë per një neser më të mirë. Per t’arritur këtë gjë, të këthehemi nga dje-ja dhe të frymëzohemi nga shpirti e nga të rahurat e saja. E shkuara është jona. Vepra jonë. Pemë e virtutave t’ona. Né e realizuam. Dhe të ndjekum këshillën e një kritiku të madh Sainte-Beure: T’a mendojmë shumë dhe sinqerisht të shkuarën, t’a kuptojmë mirë – do të thotë t’a ëndërojmë me të vertetë t’arthmen.””
Pater Gjon Shllaku mendon se përshtjellimi apo konfuzioni që mbretëron në vlerat dhe idetë e shoqërisë shqiptare është shkaku kryesor i mos-marrëveshjeve në pikëpamjet sociale. Morali modern nuk gjen më asnjë arsye ku të kapet dhe të zhvillohet, kështu në mungesë të dinamizmit të ideve gjallëruese ai percepton ngritjen e sistemeve të forcës.
Një tjetër shqetësim i Shllakut që e reflekton në shkrimin e tij “Breznisë së re” botuar tek Hylli i Dritës në vitin 1938 është jeta dhe e ardhmja e të rinjve në shoqërinë shqiptare. Sipas tij rinia nuk ka besim në vetvete dhe nuk është e predispozuar të bashkëveprojë për qëllime të njëjta. Të rinjtë në sytë e Pater Gjonit vete mjaftohen dhe nuk nxiten apo nuk shqetësohen për përmirësimin e jetës së tyre. Të rinj të tjerë shpesh herë shfaqin shenja megalomanie e hipokrizie të rafinuar. Mjafton një cipë e hollë kulture apo një punim sado i vogël që me pak reklamë të ngrihet në piedestalin e turmave injorante. Në fakt, për këtë realitet Shllaku nuk i ngarkon peshën e fajit brezit të ri, por i bën një analizë të gjithë kontekstit ku fenomeni ka ndodhur dhe është zhvilluar.
Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë vendi u gjet i papërgatitur kështu zuri fill diletantizmi i përpjekjeve të ndryshme në fushën e shtypit dhe të shkrimeve të ushqyera në më të shumtën e rasteve nga kopjimet e pa jetë të ideologjive të huaja që shpesh përdoreshin për qëllime sektarizmi sulmues. Një kontekst i tillë ku programet dhe metodat arsimore ndryshonin çdo tre a katër vjet nuk u ngjiz një përpjekje e përbashkët apo nuk pati unifikim mendimesh. Edhe ata që u përpoqën dështuan! Sipas Pater Gjonit, dështuan sepse askush nuk pati eksperiencën e duhur të shtronte drejtë para shoqërisë shqiptare dy çështje themelore siç ishin kultura dhe atdhetarizmi, mbi të cilat do të mbështeteshin përpjekjet e ndryshme të inteligjencës shqiptare.
Shllaku vë theksin kryesisht tek kultura pasi sipas tij përpjekjet kolektive për të rënë dakord për atë çfarë, është kultura shqiptare do të sillnin një gjendje bashkimi dhe do rrafshonin individualizmat e tepruara që shkaktojnë rrënimin e vetes dhe të njëri-tjetrit. Ai shpreh bindjen se kultura i zbut popujt sepse i bën ata të njihen me njëri-tjetrin, duke zbutur mosmarrëveshjet që shpesh herë dalin nga kufizimi i një mentaliteti fanatik. “Nji qytetnim, qi âsht faqja e kulturës së ndjesive të njij populli, çon me doemos në bashkimin e plotë në të vërtetën, në të mirën e në të bukren” shkruan ai gjatë këtij shkrimi.

Fig. 3 Pater Gjon Shllaku O.F.M me të rinjtë e “Djelmnisë Antoniane”
Sipas Shllakut individi së pari është njeri i kulturës e më pas është atdhetar pasi detyra e atdhedashurisë është një rrjedhje e natyrshme që i vjen gjithsecilit pas një zhvillimi të plotë kulturor. Atdhedashuria për Pater Gjonin, nuk është vetëm një shpërthim i sentimenteve, por vijimi i plotësimit të të drejtave dhe detyrave në rrethin shoqërorë që një individ gjendet. Ai mbyll shkrimin e tij dedikuar brezit të ri duke i sugjeruar disa detyra: të njohin më shumë njëri-tjetrin sepse kështu ata do të ndeshen me frymëzime e ndjesi të përbashkëta; të kenë respekt për mendime e ideologji të njeri-tjetrit; të jenë të sinqertë e të kenë ide të qarta, të refuzojnë paramendimet, paragjykimet e nënkëmbsat, dhe gjithmonë të jenë me shpirt e mendje të hapur.
Gjon Shllaku nuk mund të mos kishte bërë reflektimet e tij mbi shtypin e kohës, një fushë tjetër që ai njihte shumë mirë duke qenë vetë aktiv. Në shkrimin e tij “Jehona e Shtypit”, botuar në vitin 1944, ai kritikon shtypin për shkak se, sipas tij, nuk reflekton realisht rrymat shpirtërore të vendit dhe e konsideron atë vazhdimisht të varur nga qeveritë. Gjithashtu ai shqetësohet për mungesën e një gjuhe të përbashkët të shtypit gjatë asaj kohe apo një tendencë për të bërë një përzgjedhje dialektesh në formë arbitrare dhe pa baza shkencore.
Për Pater Gjon Shllakun, intelektualin, akademikun, klerikun, filozofin dhe atdhedashësin do të vinin kohë shumë të vështira para se të vritej tragjikisht pas një gjyqi e akuzash absurde. Jeta e tij, mosha e re, aktivitetet dhe kontributi në edukimin e shoqërisë do të ndaleshin një herë e përgjithmonë në kulmin e moshës dhe pjekurisë intelektuale.

Fig. 4 Pater Gjon Shllaku O.F.M

Në një shkrim të tij, të titulluar “Fatosa të harruem”, katër vite para se te pësonte të njëjtin fat, ai i dedikon një mendim Bajram Currit, Luigj Gurakuqit dhe Dom Gjon Gazullit: “Tjeterkund, njerzit e idealit, ne u mbytëshin per së gjalli, nderohen per së dekuni. Nder né ata mbyten dy herë: edhe harrohen… Per Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Dom Gjon Gazullin nuk pat nevojë deka me kênë kapak florini. Jeta e tyne kje e dêjë per deken qi bâne si dishmorë të lirís së Kombit. Lypej qi të hiqeshin, qi të zhdukeshin, pse jeta e tyne ishte dekë per matrapazat e trathtís… Nji komb qi lindet ká nevojë per fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk kan çë të bâjn në nji komb qi i harron e i perbuzë.”
Ky shkrim solli në vëmendje vetëm disa nga artikujt e Pater Gjon Shllakut, me synimin për kuptuar diçka më shumë se cilat ishin mendimet dhe qëndrimet e tij për çështje të caktuara si komunizmi apo zhvillimi kolektiv i shoqërisë shqiptare. Përzgjedhja e shkrimeve ishte e qëllimshme pasi temat e trajtuara mund të konsiderohen edhe sot e kësaj dite si çështje thelbësore për shoqërinë tonë. Kjo e bën Shllakun, e mbi të gjitha mendimin e tij, shumë aktual. Nga analiza e shkrimeve të sjella në këtë studim, arrihet në konkluzionin se Shllaku kishte kapur thelbin e problemeve që ai trajton dhe se njihte shumë mirë shoqërinë shqiptare. Ishte optimist për të ardhmen, realist dhe nuk i pëlqente pasiviteti apo viktimizimi që nganjëherë shqiptarët bënin për shkak të ngjarjeve historike fatkeqe. Kërkonte të shihte përpara dhe kishte për zemër orientimin e shoqërisë drejt një zhvillimi real. Ishte krejtësisht i papajtuar me “fasadat”, veçanërist sa i takon dijes dhe shkencës. Dëshironte shumë që pas një periudhe të gjatë pushtimesh shqiptarët të gjenin gjuhën e përbashkët në përcaktimin e asaj çfarë ishte gjuhë, kulturë dhe traditë shqiptare sepse kjo, sipas tij, do të sillte bashkimin dhe do të rrafshonte individualizmat që do të dëmtonin Shqipërinë. Bashkimi duhet të vinte nga mendimet e lira dhe heterogjene. Sigurisht që një mendimtar që kishte këto vizione nuk mund të mbështeste apo mirëpriste komunizmin, që ndër të tjera, ishte kundërshtari numër një i lirisë së mendimit, të shprehjes dhe të besimit.

(*Shkrimi është botuar ne revisten “Hylli i Dritës”, Nr. 2, 2017, fq 92 – 106)

BIBLIOGRAFIA

•KURTI Atë Donald O.F.M, “Puna Edukative dhe Apostolike e Urdherit Françeskan mes Popullit Shqiptar”, Kumbona e së Dielles, nr. 6, Qershor 1993, Shkodër, fq 7–9.

· KURTI Atë Donat O.F.M, “Provinca Françeskane Shqiptare. (E ripertrime në vjetin 1906)”, ISSN: 99927 -789-1-1, Botime Françeskane, Shtypur në Shtypshkronjën Shkodra, Shkodër 2003, fq 30.

· K. GURAKUQI., “Dëshmorët Françeskanë, në: Bloku Kombtar Indipendent: Veprimtarija e Blokut Kombtar Indipendent né dobì té çlirimit të Shqipnis.” Verbale të Asambles së Përgjithëshme të B. J. I. mbajtun më 24, 25 e 26 shkurt 1952, Romë, 1952, f. 53-57.

· PLLUMI At Zef O.F.M “Françeskanët e mëdhaj – At Gjon Shllaku, filozofi sociolog”, Botime Franceskane, ISSN: 9789965697426, Tiranë 2001, fq 139 – 150.

· SHLLAKU Pater Gjon O.F.M., “Zija në Rusi. Dhetë miljon vetë dekë ûjet në vjetin 1933”, Hylli i Dritës X, nr. 6, Shtypshkroja Franceskane, Shkodër 1934, fq 288 -293.

· SHLLAKU Pater Gjon O.F.M., (me pseudonimin Gjama e Sharit) “Mos të përçapemi”, Hylli i Dritës, XIII nr. 4, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër 1937 fq 165 – 170.

· SHLLAKU Pater Gjon, O.F.M “A po kuptohemi!?” Hylli i Dritës, XIV nr. 5, Shtypshkroja Françeskane Shkodër 1938, fq 213 – 222.

· SHLLAKU Pater Gjon O.F.M, “Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm”, Hylli i Dritës XIV, nr 7-8 Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1938, fq 337 – 343.

· SHLLAKU Pater Gjon O.F.M, “Breznisë së re”, Hylli i Dritës XIV, nr 10 Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1938, fq 513 – 519.

· SHLLAKU Pater Gjon O.F.M, “Jehona e Shypit”, Hylli i Dritës XX, nr 1 Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1938, fq 41 – 46.

· SHLLAKU Pater Gjon O.F.M, “Fatosave të harruem”, Hylli i Dritës XVIII, nr 1 Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1942, fq 101.

· MALAJ Vinçenc O.F.M, “Apostolic and Educational Work of the Franciscan Order Among Albanian People”, Albanian Catholic Bulletin Vol XI, ISSN 0272-7250, San Francisco 1990, pp 23 – 54.

· PIETRO GAGNOR Giuseppe, “Un cattolico puo’ essere comunista?” (Lettera pastorale per l’anno 1957), fq 5.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.