“Një metaforë e realitetit” – nga Nikollë Camaj

0
641

Me “Ligjin e maskave” zhegova dy ditë. Në kafën e mëngjesit të ditës se trete, këtë libër ua rekomandova disa miqve. Ja edhe pse! Së pari sepse libri është një metaforë e realitetin tonë, qoftë këtij të ngushtë lokal, apo edhe të atij më të gjerë, regjional, metaforë për një shoqëri që jeton nën maska, sa nga droja, sa nga nevoja për t’i pëlqyer tjetrit, por po aq edhe nga lakmia apo nga smira, inati e xhelozia; është një metaforë e një shoqërie që jetën e përditshme e mbështet në kurdisje, intriga, imoralitet, dhe të gjitha këto provon t’i paraqes si vlera. E veçanta e këtij laboratori estetik është se në vete gërsheton përvojën jetësore, politike dhe letrare të autorit. Trileri ndërtohet mbi motive të trajtuara sidomos nga Dan Brown, mbi shoqëritë dhe dokumentet e fshehta, mbi dëshmitë e lashtësisë dhe të sakrificave për t’i ruajtur ato dëshmi, madje edhe me çmimin e “bashkëpunimit me djallin”.

Ligji i maskave, 2017.

Çmimi që e paguan krye-personazhi Aleksandri, me pranimin që të nënshkruaj rrënimin e “kalldrëmit” sikur e dëshmon gatishmërinë për këtë “bashkëpunim” si sakrifica sublime, me qëllim e me shpresë se do të ruhet ajo thelbësorja, trashëgimia e “Këshillit të të parëve. Edhe pse këshillat vijnë si amanet i plakut Kolë, lexuesit, ky çmim i duket tepër i lartë. Kjo e rrite dyshimin në çdo kë dhe në çdo gjë. Përpos se ofron kënaqësi estetike, romani hap një seri dilemash mbi maskat, maskë-mbajtësit, maskë-urdhëruesit… Hap dilema mbi atë se cila është maska, e cila është fytyra e vërtet. Një dimension tjetër i romanit, ai i kthimit, jo i ikjes, ai i “përshtatjes” apo dhe i vetësakrifikimit, por gjithsesi i qëndrimit në “fushëbetejë”, sepse përmes ikjes, si personazhi tjetër, Agroni, Aleksandri rrezikon të “largohej si dezertor i keq që më pas i shan të gjithë; edhe atdheun e tij”… Prandaj ai zgjodhi te përfille mesazhin e të atit; “…shko ku ke për të shkua dhe kthehu me kë ke për t’u kthyer dhe nesër dua të jesh në mbledhjen e Këshillit. Lufto aty ku je, me çka ke, por asnjëherë mos ik nga fushëbeteja jote… …Kthehu bir dhe mos e braktis vendin…”, Sikur është porosia e fundit e veprës. Në fund duhet shtuar se vepra fsheh brenda një mister, si në serialet e tipit Agata Kristi, apo mbi Mata Harin, që asnjëherë nuk jemi të sigurt se kush në cilin rrol është. As këtu, sikur kurrë s’do ta marrim vesh se cila është paraqitja reale e cila ajo nën maska, natyrisht duke e shikuar nga raportet që krijohen.  Një gjë është definitive, se nën maske jetohet më lehtë, por adaptimi me maskën paraqet rrezik për identitetin, dhe ky segment sikur mbetet i vetëm i pa apostrofuar në roman.

-Nikollë Camaj 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.