Se lavdia e heronjëve është e pavdekshme dihet, por e gjithë lavdia e tyre varet nga kujtesa kolektive; e në rastin tonë kemi të bëjmë me një hero që kohëve fundit tentohët ti nxihet lavdi, duke iu shtrembëruar historia. E ky hero është Prëk Pjetër Cali, bajraktari, luftëtari dhe gjenerali që luftoi kundër P.Osmane, Mbreterisë malaziase, SKS, dhe së fundi kundër komunizmit. Ai mban meritat më të larta për mbrojtjen e kufirit veriorë; kundershtoi haptazi dhe nuk pranoi që Kelmendi të bëhet pjesë e Mbretërisë së Malit të Zi. Si njeri i fuqishem, jo vetëm nga trupi por edhe nga karakteri, nuk kurrsei as kritikat as ndaj mbretit Zog, gjë për të cilën u burgos një vit, më pas, duke e parë gabimin e vet, mbreti Zog i kërkoi falje dhe e gradoi si gjeneral (rezervë) në zonat e Veriut të Shqipërisë (si gjeneral ishte graduar edhe nga Noli). Gjatë kohës së fashizmit, ai përkrahu fuqimisht bashkimin e trojeve etnike në Veri si dhe mbrojti kufirin në Jug nga Greqia, por asnjëherë nuk i shërbeu fashizmit. Mbas çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashistët, [çlirim i cili më vonë do të ishte paradoksal, sepse ngjante më shumë si ripushtim] Calin e ftuan komunistët që tu bashkohet dhe i premtuan dekorata, gjë që ai e refuzoi, për shkak të lidhjes së tyre me partinë komuniste jugosllave, e cila ishte kundërshtare e nacionalistëve shqiptarë. Në Veri, komunistët do të gjenin rezistencë, veçanërisht në Kelmend, ku kryengritja antikomuniste që do zgjaste me ditë të tëra e cila u drejtua nga vetë Prëkë Cali. Mbasi u rrethuan nga komunistët, Prëk Cali dhe kelmendasit gjendshin në një shpellë lokale, ku me anë të ndërmjetësisë së një prifti do pranonin të dorëzoheshin, me kusht që të rinjtë të mos vriteshin dhe natyrisht që kryengritësit te mos pushkatoheshin. Por nuk ndodhi kështu, siç shkruan Dr Luigj Martini (parafrazoj): “Prëka nuk e priste që shqiptarët komunistë do të shkelnin mbi besën dhe gjakun e vëllezërve për shkak të ideologjisë së tyre.”, si perfundim, Cali u pushkatua dhe iu humbën eshtrat. Ndonëse e dënuan në mënyrë aspak burrërore, Prëka, e priti vdekjen me lavdi – stoikisht. Duke qenë se as pushkatimi e as shpifjet e bëra ndaj tij nuk do mund ta përbaltnin, komunistët vendosën të kryejnë aktin e tretë të turpshëm e çnjerëzorë: duke ja humbur kufomën.
Duke qenë se Cali ishte njeri me shumë ndikim dhe famë në Veri, për ta bërë më legjitime vrasjen e tij, e akuzuan për tradhëti, për bashkëpunim me çetnikët dhe nazistët por edhe i ngjiten “bishta” si fanatik katolik-reaksionarë, akuza të cilat natyrisht se nuk ishin të vërteta. Qëllimi i komunistëve ishte që ta fshinin nga faqja e historisë, jo vetëm Calin por edhe shumë patriotë të tjerë. E në këtë gjë, kontribuan masivisht historianët komunistë jugosllavë e shqiptarë të cilët nuk kurrsyen imagjinatën e tyre për të fabrikuar shpifjet nga llojet e ndryshme: duke e përshkruar si reaksionarë-nacionalist, primitiv, hajdut, kolaboracionist, madje edhe përçarës.
Mbas rënies së komunizmit në Shqipëri, u bënë disa studime për Prëkë Calin – ndonëse me thënë të drejtën, nuk janë të shumta; sidoqoftë u vërtetua se shpifjet e bëra ndaj tij janë të pabaza – e ajo që e dëshmon këtë më së shumti janë vetë dëshmitarët okularë. Por e vërteta nuk mund të mbulohej për shumë kohë, si për nderim Prëk Cali u dekorua nga presidenti Sali Berisha me Titullin “Martir i Demokracisë”.
***
Vlen të theksohet se sot, në Wikipedia, artikulli i shkruar për Prëk Calin (në anglisht) është i bazuar në literaturën propagandiste komuniste-jugosllave dhe në keqinterpretime të librave të tjerë. Disa herë e kam korrigjuar artikullin, duke vendosur fusnota dhe fakte objektive që i demaskojnë qartazi propagandat komuniste, por çdo herë ato janë fshirë. Sidoqoftë ky nuk është rasti i vetëm… Së fundmi, pseudohistorianët e fb kanë filluar të bëjnë nga akuzat më qesharake, natyrisht duke mbështetur tezat komuniste; disa thonë që na paska pasë mbajtur një kapele të zezë – prandaj na qenka e vërtetë teoria komuniste!? Këta harrojnë se ai vishte edhe një setër të stilit anglez, mos na paska qenë anglez? Apo për pushkën e tij italiane, mos kjo na e bëka italian??? Nuk e di, ndoshta? Sipas kësaj logjike, ateherë edhe Pashko Vasa e Ismail Qemajli paskan qënë turq!? Po ashtu edhe mbi 80% e shqiptarëve, sepse kapelat turke i kanë mbajtë… Pa asnjë dyshim: është absurditet i madh!
-Albert Bikaj
[…] https://kallnori.org/2017/08/04/ne-perkujtim-te-preke-calit/ […]