
Me rastin e ditëlindjes së 82-të të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Këtë poezi e kam shkruar në vitin 1996, pas takimit të parë me Kadarenë.
Rexhep Hoti – Në Frankfurt a. M. (1996)
Nga takimi me I. Kadarenë
Autostrada dridhej e zhdridhej tutje,
Si një shtatvajzë kur lehtas e prek dora.
Ngjan ky kurriz I përhirtë
Me një dinozaur përplot me morra.
(Të ketë pasur morra në atë kohë?)
Shfaqet Frankfurti a. M. Më në fund,
I ngarkuar si plaka në përrallë.
Policët shfrynin më tepër se zakonisht,
Të gjorët kanë punë me shkrimtarë.
(Piramida e panairit ishte emocionuar nga fjalimi i H. Kohl-it)
Ç’kërkon tek ajo stendë, o vagabond!
Te ai shpend i mbuluar me gjak.
Ti i ikur nga Kosova këtu ç’pret?
Ti që as humbjen s’e ke hak.
(Arroganti trupgjatë dëshironte ta shihte një shkrimtar)
Vraponte nëpër labirintet e panairit,
Nëpër atë lëmsh të librit botëror,
Te stenda franceze ca fjalë murmuriti
Dhe u largua duke iu bërë me dorë.
(Diçka po zhbëhej në atë shpirt të vrazhdë)
Mbi cingërimën e telefonit frymëmarrje e thellë,
Sintaksa e kishte humbur fjalën.
Bota mbeti befas memece,
Një çast po e shuante kalljen.
(Në hotelin «Marriott», Gjeniu pinte kafe me një vagabond)!
Frankfurt a. M., tetor 1996
Nga vëllimi poetik «Përzierje e trishtë», 2002, Rilindja, Prishtinë
P.S.: Lejohet kopjimi dhe shpërndarja.