Data e sotme (26 Korrik) në kalendarin katolik shënon festën e Shën Venerandës, apo siç njihet në popullin tonë si Shna Prena (ose Prenda) në veri ose Shën Premtja në jug.
Përpos që Shna Prena është qartazi shenjtorja e dytë më e famshme tek shqiptarët pas Shën Marisë (Zojës së Bekueme) Shna Prena sipas Robert Elsie ishte ndër shenjtoret më të famshme dhe të festuara tek populli shqiptar nga të gjithë shenjtorët, ku në fund të shekullit të 16-të dhe në fillim të shekullit të 17-të nga rreth 275 kisha katolike të dokumentuara në Shqipëri 33 nga ato u ishin kushtuar Shna Prenës, ndërsa përpos kishave të kushtuara shenjtorës ku në numër vetëm Shën Kolli dhe Zoja e Bekueme kishin më shumë kisha dedikuar atyre, kulti i Shna Prenës mund të gjurmohet edhe tek struktura fisnore shqiptare ku fisi i Kirit, Kthella, Temali, një pjesë e Shkrelit dhe një pjesë e Shllakut për pajtore të fisit kanë Shna Prenën dhe rrjedhimisht Festën e Shna Prenës si festë të fisit.
Ndër të tjera Elsie për Shna Prenën shton se pavarësisht famës së madhe që ajo ka gëzuar tek të krishterët në Shqipëri, në të vërtetë ajo “nuk ka ekzistuar” në kuptimin “strikt” të fjalës, pasi që tek Shna Prena gjenden elemente nga shenjtore të ndryshme duke filluar nga Shën Ana (e ëma e Marisë), Shën Veneranda (Martire që jetoj në Italinë e shekullin të 2-të) dhe Shën Parashkevi (Që Elsie në rrethanat e popullit shqiptar e lidhë me një shenjtore tjetër e famshme në Ballkan bazuar mbi një martire të verbërt të shekullit të 10-të mbi të cilën dokumentet historike mungojnë, por që me emër të njëjtë njihet edhe një shenjtore e shekullit të 2-të festa e të cilës festohet në të njëjtën datë me Venerandën). Emri i shenjtorës së fundit, ngjashëm me Venerandën e lartpërmendur, etimologjikisht ka rrënjë të ngjashme me shenjtorën tonë në fjalë dhe ndër të tjera edhe ajo është “lidhur” me Shën Venerandën në raste. Përpos kësaj Elsie (ngjashëm me autorë të tjerë) Shna Prenen e lidhë me hyjninë para-kristiane proto-shqiptare që kishte të njëjtin emër dhe që bazuar në traditat e mbijetuara të lidhura me kultin e Shna Prenës duhet të ketë qenë adhuruar si perendeshë e dashurisë nga paraardhësit e pa kristianizuar të shqiptarëve.
Mirëpo, pavarësisht ruajtjës së elementeve para-kristiane dhe futja dhe lidhja e tyre në praktikat e krishterizmit e në raste edhe habia që mund të jetë shkaktuar se në ç’shenjtor ishin bazuar kjo nuk do të thotë asesi që shqiptarët apo edhe popujt e tjerë të krishterë kishin vazhduar me lutjën dhe adhurimin e hyjnive pagane por duhet parë si pranim i ndërsjelltë i krishterizmit ndaj traditave vendase (lokale) dhe i popullsisë vendase ndaj krishterizmit por duke ruajtur nga traditat e mëparshme.
Përpos që Shna Prena është ndër shenjtoret më të festuara tek populli shqiptar dhe se tek figura dhe emri i saj mund të gjurmohen edhe mbetje të së kaluarës sonë para-kristiane, gjë që ndër të tjera tregon për nivelin e lartë të tolerancës ndaj kulturave lokale të krishterizmit të hershëm (traditë që vazhdon deri më sot) përtej aspektit fetar dhe historik të shenjtorës dhe kultit të saj Shna Prena paraqet edhe një aspekt sociolinguistik tejet interesant që lidhet me emrin e saj, ngjashmëritë e kulturës shqiptare dhe gjuhës shqipe me kulturat dhe gjuhët e tjera dhe me zhvillimet dhe proceset historike të popullit shqiptar.
Përderisa me emrin Prenës janë pagëzuar shumë vajza katolike duke e bërë emrin Pren(d)a ndër emrat më të përdorur të gjinisë femërore tek katolikët shqiptar dhe përpos vajzave me këtë emër janë pagëzuar edhe djemt me emra si Pren(d) ose Pren(d)ush, vet shenjtorja duket që nga populli shqiptar është pagëzuar, ose të paktën të jetë e lidhur fort, me emrin e ditës së pestë të javës që tek popujt evropian para-kristian zakonisht lidhej me perendeshën e dashurisë nga kush edhe e merrte emrin. Tek shqiptaret kjo ditë në shqipen standarte dhe dialektet jugore quhet “e premte” ndërsa tek katolikët shqiptar në veri quhet “e prene ose e prete (në dialektin e Malësisë së Madhe)” që ngjashëm siç ndodh edhe tek popuj dhe gjuhë të tjera si psh: serbisht: “petak” nga ku e merr emrin edhe Sveti Petka; greqisht: “paraskevi” (dita e pregaditjës) nga ku e merr emrin Shen Paraskevi; italisht: “venerdi” që e merr emrin nga Venera (perendeshë romake) nga ku e merr emrin edhe Shën Veneranda; edhe shqipja ditën e saj te pestë të javës e ka të lidhur me emrin e perendeshës së saj para-kristiane dhe që me te cilin emër më pas populli shqiptar e ka pagëzuar Shën Venerandën.
Pra, për ta thjeshtëzuar, shenjtorës Shën Veneranda (ose edhe Shën Parashkevi) shqiptarët i kanë shqiptarizuar emrin duke e pagëzuar në veri me emrin Prenda që më vonë me asimilimin e bashkëtingëlloreve –nd në –n (ose –t në rastin e Malësisë së Madhe) u shndërrua në Prena (ose Preta) dhe në jug me emrin Premta.
Sot varianti verior i kësaj dite mbetët i kufizuar në përdorim vetëm tek pjesa katolike pasi që me islamizimin e popullatës shqiptare të trevave veriore fjala “e xhuma” e ka zëvendësuar fjalën “e prene/prende/prete” për ditën e pestë të javës duke e larguar këtë të fundit nga fjalori i përditshëm i pjesës së islamizuar të popullit, kështu “hyjnia” (emri), me shumë gjasë, para-kristiane që i mbijetoj kristianizimit nuk arriti dot ti mbijetoj islamizimit. Por, me standartizimin e gjuhes Shna Prena u rikthye në kalendarin shqip të viseve veriore te islamizuara me variantin e saj jugor, e premte, ku sot e kësaj dite varianti “e premte” për pak dekada ka arritur që ta zëvendësoj fjalën “e xhuma” si varianti mbizotërues për ditën e pestë të javes, duke u bërë kështu një ndër fjalët e standartit me sukesin më të madh të depërtimit në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve të Kosovës.
Gjithsesi, me shnet’ të gjithë katolikëve Festa e Shna Prenës dhe veçanërisht atyne që janë të pagzum me emna si Pren(d)a, Pren(d) dhe Pren(d)ush urime festa e emnit.
–Adriatik A. Lupçi/Kallnori.org