Malësorët e Malësisë (në Mal të Zi) dhe Lufta e Koplikut

0
1080

Sot, kombi shqiptarë shënon një datë historike shumë me rëndësi për lirinë, pavarësinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare, shënon 100 vjetorin e Luftës së Koplikut, që në fakt si gjithë luftërat e tjera që i ka zhvilluar kombi ynë, edhe kjo ishte një luftë për mbrojtje të tokave tona, familjeve tona të vendosura në këto troje që prej mileniumeve.

Në fakt, as pas vitit 1912, kur u shpall edhe pavarësia, territori i shtetit shqiptarë nuk kishte pushuar se sulmuari nga fqinjët të cilët pretendonin ta asgjësonin apo më mirë të themi, ta fshinin nga harta e botës si komb. Deri sa fati i shqiptarëve brenda kufirit shtetërorë kishte marre një rrugë drejt lirisë,  për shqiptarët e mbetur në Mbretërinë Jugosllave, (e jo vetëm) keqtrajtimet dhe gjenocidet do të vazhdonin. Populli shqiptar i ngelur përreth kufirit administrativ të Shqipërisë, ishte edhe mburojë e Republikës, ose vija e parë e frontit. Pikërisht, ishin shtëpitë dhe pronat e Malësorëve përreth kufirit ato që e pësonin të parat, sepse për të hyrë në Shqipëri, çetat armike fillimisht duhet të kalonin para derës së tyre.

Në vitin 1918, mbi 150 malësorë nga Hotit, Gruda dhe Trieshi, do të hynin në Shkodër, në krye me Deli Metën, Prelë Kerin, Dodë Ujkën, Patër Anton Harapin ( që ishte frat i Grudës), të përkrahur edhe nga Luigj Gurakuqi e Gjergj Fishta, për të kërkuar bashkimin me Shqipërinë, pas lënies jashtë me 1913. Ata i dorëzojnë Bardi De Fortu (administratorit kontravesrs) letrën me kërkesat e veta. Në këtë kohë, kur po bëheshin përgatitjet për të filluar këto luftëra, Hoti kishte dhënë besën se nuk do t’i nënshtrohej për të gjallë pushtimit. Malësia e mbetur në Mal të Zi, nuk u pajtua asnjëherë me vendimet e Kongresit të Berlinit, për këtë edhe vazhdimisht popullsia shqiptare e  Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojes, sistematikisht kishte përjetuar vrasje,  burgosje e persekutime nga më të ndryshmet.

Në prag të luftës së Koplikut, forcat serbo-malazeze do të vendoseshin në Hot, pjesa e Malit të Zi,  pikërisht më 25 dhjetor 1919 ku 74 burra do të pushkatoheshin në Drume të Borës, ndërsa qindra të tjerë do t’i çonin në burgun e Podgoricës, ku i kishin pritur torturat më çnjerëzore deri në vdekje. Për këtë kemi dëshmi  edhe të shkruara,  nga ata që i vizituan në burg, u çuan ushqim dhe u munduan t’ua lehtësojnë ato ditë të vështira. Por kemi edhe relacione nga diplomatët francez të cilët disa arritën edhe ti lirojnë.

Rënia e Perandorisë Austro-hungareze shkaktoi turbullira të tjera në gadishullin ballkanik. Serbia, me një Kuvend të inskenuar, organizoi Kuvendin e Podgoricës , jo në Cetinë ku ishte edhe kuvendi qendrorë, dhe aty, delegatët e përcaktuar nga Serbia,, kundër ligjeve të vendit, votuan pro bashkëngjitjes së Malit të Zi me Serbinë. Shqiptarët në Mal të Zi, nuk pranuan të çojnë asnjë përfaqësues në këtë kuvend, pasi kërkesat e shqiptareve ishin rikthimi në unitetit kombëtar, prej ku dhunshëm ishin ndarë nga fuqitë e mëdha.

Duke lexuar librin Lufta e Koplikut dhe ngjarjet që i paraprijnë, nga Ndue Bacaj dua të citoj një paragraf : Rreth mesnatës që ndanë datat 21 e 22 gusht do të fillonte një fazë e re luftimesh, nga ushtria shovene serbo malazeze, e cila pasi bombardoi sa mundi nga kodra  e Nënhelmit, në mesnatë nisi një sulm të gjerë kundër trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe. ( mbaron citimi).

Ky paragraf më zgjoi kujtesën se nga gjyshi im, kohë më parë kisha shënuar një bisedë lidhur me këtë ngjarje, pasi unë vij nga ky fshat, pra nga Narhelmi.

Citoj gojëdhënën nga Mark Staka Lucgjonaj, i lindur më 10 gusht të vitit 1912:

I ditë në fillim të gushtit, te shpia erdhi i lajms, mik i babës sëm , Stak Brecit çi kite 4 vjet çi kite vdekë. Lajmsi na lajmoi se ushtria e kralnisë po drejtohej edhe ka Narhelmi, ku thuhej se përmes rrugës së nizamit, dote me vënos topat ne maje të Helmit për me sulmua Shqipninë se doshin me marrë Shkodren. Vet isham 7 vjeçar, me duket atje i kam ba, se kam lind me 10 gusht. Kështu, krejt familja jonë me sule kaluome në Kosan, se atje kishim disa të afërm tanët. E di se kem ik edhe atje e jem pshe, e thoshin njerëzit asajte, po gjuojn prej majës së Helmit. Kur ka krye lufta, jem kthye, por çka kem gjete: shpia e djegun, e krejt çka kishim pasë e plaçkitun. Kjo ite hera e dytë çi na e djegshin shpinë.

( mbaron citimi).

Lufta e Koplikut, është lufta e parë e një organizmi të mirëfilltë shtetërorë, që nga koha e Skënderbeut. Malësorët e Malësisë andej kufirit (në Mal të Zi), duke njohur vetëm Shqipërinë si shtet amë, të pandarë me vëllezërit e tyre, luftuan me të gjitha forcat që kishin.

Barrën më të rëndë në luftën e Koplikut , e kishin pikërisht çetat malësore pasi ishin në vijën e parë të frontit e në krye të të cilave ishin: Deli Meta Lucgjonaj, Nikollë Luca Junçaj, Lucë Nishi Dedvukaj, Pjetër Zeku Camaj, Prelë Keri Gojçaj, Gjon Nikë Plluci Dushaj, Prekë Zeka Nicaj, Gjekë Uci Gjelaj, Zef Martini Ivezaj, Prëk Dedë Gjolaj, Luc Gjeloshi Lugjuraj, Lulash Baci Kalaj, Lekë Luli Berishaj, Mehmet Murati Gjokaj, Gjekë Preloci Nikaj, Prelë Doka Vulaj, Bisho Caku Nikaj, Tomë Gjon Shyti e Gjekë Gjon Shyti Sinishtaj e shumë e shumë të tjerë.  

Në këtë luftë agresori u mund, kufiri u ruajt aty ku ishte dhe Shqipëria filloi ngadalë rrugën e vështirë të shtet formimit. Malësorët e Malësisë andej kufirit u kthyen me fitore në zemër, me shpresa se diçka do të ndryshonte në drejtim të kërkesave të tyre të shenjta.

 Lavdi dëshmorëve që u sakrifikuan për gjënë më të shtrenjtë, për liri e bashkim!

msc. Mark Lucgjonaj

Fjala e mbajtur në Koplik,

me rastin e shënimit të Luftës së Koplikut,

nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta.

( Ato që janë thënë në kumtesë, janë të gjitha të mbështetura në fakte, dokumente e punime shkencore me referenca të besuara. Për hire të keqpërdorimit, burimet i kemi hequr. autori)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.