Kombi: origjina e fjalës – nga Sait Saiti

0
10

Vite përpara e pata hasë te një artikull i të përkohshmeve të kohës së Zogut, ndoshta te Perpjekja shqiptare e Branko Merxhanit, që fjalën ‘komb’ e kena peshqesh nga arabishtja. Si na njofton Tahir Dizdari te fjalori i tij në shënimet e pasuna me të cilat i shoqnon fjalët, paska pasë edhe debat se si me e shkrue fjalën ‘komb, debat në të cilin qenka përfshi edhe Mati Logoreci tue dhanë kontributin e vet në ballafaqimet e kohës. Logoreci shkruente se trajta e duhun asht ‘komi’, Dizdari në komentimin e vet i jep të drejtë me parim etimologjik se ashtu asht në gjuhën amë.

Fjala realisht vjen prej arabishtes (qawm), rranja treshkronjore e së cilës q-w-m asht edhe rranja e foljes “me u çue, me u ngritë”. Si duket domethania mund të lexohet nga ana e jashtme si një bashkësi që asht e aftë (si fëmija) me u çu në kambët e veta e me qindrue a me ecë, apo në thalbe të matejshme të Islamit që ka gjuhë shpalljeje dhe të shenjtë arabishten ku ndër mësimet që sot cilësohen metafizike, njeriut i asht lanë mundësia me u ngritë përmbi engjëjt kur e ka te mujtun me kenë «insan al-kamil». Në kohë e hapsina të larmishme fjala mund të ketë shenjue me kritere te ndryshme bashkësi njerëzish. Ngritja e konceptit të nacionit në diskursin ideor në Perëndim çoi peshë dikë në gjysën e parë të 1800s të Perandorisë Osmane kur ata ide nisen me qarkullue nëpër raporte diplomatike me gjendjen tejmase fluide që pati Franca kapërcyellin e shekujve 17-18, ai dikush ra në kontakt me atë regjistër ideor dhe për me e komunikue në turqishte osmane zgjodhi fjalën ‘qawm’ për me i dalë për zot dhe me i vu shenjën e barazimit kumtit që në Perëndim shenjon fjala me amësi latine ‘nazione’ a ‘nation’. Këtë importim nga Perëndimi në Lindjen e asaj kohe, si dhe barazimin nuk e di se kush ka kenë personi që u ba sebep me i pru,  por me e pru në shqip, dhe me siguri divulgimin e ka krye Sami Frashëri. Doan Dani te “Gjuha: nga mjet ne esence kombetare” distilon edhe faktin qe Samija – jo vetëm përktheu dhe divulgoi diskursin ideor të masipërm, por edhe – zgjodhi modelin e përshtatshëm se si ‘kombetarizmi’ mund të zente vend në gjuhën shqipe si platformë.

Ndërkohë që koncepti importohej pa dalë në pah Samia, në rrethanat tona njoftohet që mes oborrit të Bushatlijve dhe Ali pashë Tepelenës kur shkonin e vinin lajmësa, ishte e nevojshme prania e terxhumanit – që sot inglizi i thotë interpreter. Pra nuk ka kenë plotësisht e ndërkuptueshme mënyra si flitej mes dy qendrave të pashallëqeve. Aq pak sa mund të përftohet nga kujtimet e fëminisë së Enverit dhe të Musinesë (të shkrueme 1 shekull e kusur mbas Ali Pashës), vetë e folmja e Gjinokastrës përpos leksikut turk (po i fusim arabishten, farsçen e turçen në nji thes) kishte leksik grek me bollëk, mund të jetë e arsyeshme me mendue se e folmja e Janinës duhet të ketë pasë tjera raporte ekuilibrash mes popullatave dhe si melting pot i gjuhëve të kohës në vilajet. Nga krahu tjetër, e folmja e Shkodrës mund te matet me leterkembimet e Sumajve, qe ishin heqimët/mjeket e vezirëve Bushatlij, si dhe me bejtet e Molla Hysen Dobraçit e Molla Sali Patës që kur i mblodhi e botoi Zef Jubani ishin ba tashma kangë qytetare, e folme po ashtu e dendun me fjalë turkë. Pavaresisht ketij leksikut shtetnor dhe qytetar në të dyja qendrat e vilajeteve, prap u nevojitej terxhuman kaposhave te kohes. Si duket nga kjo gjendje, jo e panjoftun për administratën osmane, na konstatojnë si popullatë territori i së cilës ndahej në dy nëngrupe të mëdha territor-popullatash: Gegallëku e Toskallëku. Identitetet krahinore si dhe identitetet e ndryshme tjera janë të luhatshme, kanë jetën e tyne, fluiditetin e tyne, për arsye të ndryshme mpaken, theksohen, deri që me mbetë thjesht substrat psikologjik ose informacion dokumentesh identifikuese.

Por para 100 e kusur vjetëve këto – dy nëngrupe që edhe Fishta i radhit ndër vargjet e veta, e madje u shton përmasa tjera me prejardhje nga relievi dhe mendësitë përkatëse me malsi/jallinë, – zeshin aq vend sa mund të gjurmohet edhe te artificialiteti se si Luvigj Gurakuqi i radhiti ato fjalët në krye të atij procesverbali i shkruem mbas hallit në mexhlisin e pavarësisë, me 6 fjalë andej e 6 fjalë këtej Shkumbinit. Tue diftue, që edhe pse ishte student mjekësie që s’e kreu kurrë shkollën, kishte vetëdijen, diplomacinë dhe merakun se nuk duhet me i mbetë hatri kujt. Megjithëse kushedi a e kishte kush hallin ato çaste se si shkruhej në atë fletë blloku xhepi, ky drejtpeshim dhe barazlargim duket se ishte edhe atributi kryesor i tij i dokumentuem në atë cast. Shkruhet që shqipja nuk kishte përvojë protokollore dhe Luvigji qe i pari që ia dha, mundet, por mundet që edhe atë përvojë Luvigji e fitoi te Normalja e Elbasanit ku dhe kishte ku me e marrë kalk apo prej kujt me e mësue. Se me kambët e laguna atë nandor me shi në Vlonë, mes tanë atyne ish-funksionarëve të administratës nga lokale deri te qendrorja e përbindshit burokratik Osman, kushedi a kishte terezi me mësue gja prej kujt. Në vendlindje po hynin në muejin e dytë të rrethimit, por meqë ka ma shumë së një mënyrë me hjekë gisht, duhet me i pa edhe ato dy pendët qé që çojnë deri aty.

-Sait Saiti/Kallnori.org

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.