Poet dhe gazetar me prejardhje greke, u lind më 29 prill 1863 në Aleksandri(Egjipt), ku i ati zotëronte një firmë import-eksporti. Botoi sa qe gjallë 154 poezi, shumica të frymëzuara nga lashtësia; shumë të tjera i mbetën në dorëshkrim ose të papërfunduara. Poezitë më të ndjera i shkroi pas të dyzetave. Pas vdekjes së babait jetoi disa vite në Liverpul dhe në Londër, më pas në Stamboll. Pas vitit 1885 u rikthye në Aleksandri, ku jetoi deri në fund të jetës. Vdiq më 29 prill 1933, ditën që mbushi shtatëdhjetë vjeç. Nga rreth pesëmbëdhjetë shqipërime që kam prej tij, kjo është përzgjedhja ime sot:
DUKE PRITUR BARBARËT
(Περιμένοντας τους Bαρβάρους)
Konstantinos KAVÁFIS
Ç’presim këtu te sheshi i tregut?
Barbarët, thonë që vinë sot.
Po ata të Senatit, pse nuk tunden?
Përse s’ulen, të bëjnë ndonjë ligj?
Sepse sot po vinë barbarët.
E ç’ligj mund të bëjnë senatorët?
Ligjet i bëjnë barbarët kur të vinë.
Përse kaq herët perandori ynë
ka dalë hijerëndë te porta e qytetit
me gjithë kurorë mbi krye?
Sepse barbarët vinë sot.
Perandori pret t’i japë mirëseardhjen
të parit të tyre. Ka bërë gati
dhe një pergamenë për të,
me emra dhe shumë tituj të lartë.
Përse dy konsujt dhe pretorët
dolën sot me pelerina të kuqe qëndisura?
Ç’ne ata bylyzyqe me gurë të çmuar,
ato unaza me smeraldë të ndritshëm?
Ç’i kishin ata bastunë të gdhendur
me ar dhe argjend stolisur?
Sepse vinë barbarët sot,
këto sende atyre u bëjnë përshtypje.
Përse gojëtarët tanë të vyer
nuk vinë të mbajnë fjalime?
Sepse sot vinë barbarët;
ata llafet e tepërta nuk i honepsin.
Përse kjo rrëmujë papritur?
(Të mërzitur duken njerëzia.)
Përse kaq shpejt u zbrazën rrugë dhe sheshe
dhe të gjithë nëpër shtëpi po kthehen të sëkëlldisur?
Sepse barbarët nuk erdhën.
Ca, që sapo erdhën nga kufiri
thanë se barbarët s’po duken.
__
Po tani, çdo të ngjasë me ne, pa barbarët?
Gjthsesi, ata qenë një farë zgjidhje.
© shqipëroi Maksim Rakipaj