Romanin “Humbja” e lexova me një frymë, në fluturimin Stamboll-New York. E lexova pa e ndërprerë fare, pasi që këtë ta impononte tema, mënyra e të rrëfyerit, ndërlidhja e personazheve dhe dinamika e veprimeve që shpalosen, mes të së tashmes dhe të së kaluarës, për një periudhe kohore bajagi të gjatë, madje nga lashtësia.

“Humbja” është një metaforë e të të jetuarit nën trysninë e një bote të kriminalizuar, që shtrihet nga Ballkani e deri në Evropë, por që, në bazë të emrave, kuptojmë se lidhet me botën shqiptare, madje malësore.

Për ne, kohanikët, pothuaj nuk ka asgjë të re e të panjohur, pasi që një botë e këtillë po na shpaloset para syve, por, siç dihet, arti e ka këtë dhunti, që të na befasojë me çështje dhe gjëra që i njohim. E në këtë drejtim Marku është shumë kreativ.

Në këtë kontest ai ballafaqon të tashmen e kriminalizuar, me të kaluarën e miteve tona, që lidhet me eksodin, shpërnguljet, dhunimet, kryqin që mbanim mbi shpinë, dëshmi e sakrificave, Kalvarin tonë, për të ruajtur atë çka ishte më e shtrenjta për gjenerata të tëra, kombin/Arbërinë, në fjalorin e autorit.

Me këtë vepër, Marku thyen shumë tabu që lidhen me të kaluarën e të tashmen, e për çka gjithsesi nevojitet guxim. Sidomos për tabutë që lidhen me botën e komfortit, të krijuar fal veprimeve kriminale.

Por autori, në esencë ballafaqon dy bota, të kaluarën-si sinonim i vlerave, dhe të sotmen-si sinonim i antivlerave, duke mos kursyer asnjërën, për dobësitë e veta.

Në mes të këtyre dy botëve, autori ka futur Albert Tivarin, studiuesin e pasionuar, për të cilin lexuesi ka simpati, simpati kjo që vjen e vyshket nga momenti kur policia i troket në derë. Këtu ndërron çdo gjë, edhe pse dhimbja për fatin e tij mbetet esëll deri në fund.

Personazhet, edhe pse me elemente të njerëzve që i njohim, janë të tipizuar mirë. Jo përmes përshkrimit, sepse ai mbetet shumë sipërfaqësor. Por, përmes veprimeve dhe rroleve që kanë në ngjarjen e romanit. Kështu, gjithsecili, me të gjitha të veçantat e veta, të përbashkët e kanë mëkatin, largimin nga “rruga e Zotit”, dhe fatin që i përcjell, fal mëkatit. Na kujton kjo atë thënien se jeta është si një vetëshërbim; merr çka të duash, dhe pastaj paguaj.

Kështu, largimin nga “rruga e Zotit” prifti, i cili, kishte treguar averzion ndaj religjionit, që në fëmijëri, e arsyeton me nevojën për t’i qenë prind krijesës që ishte endur, me vullnetin e Zotit, nga një lidhje “pa vullnetin e Zotit”.

Në anën tjetër, largimin nga “rruga e Zotit”, për t’u marrë me veprime kriminele, të cilat në vepër i takojmë me bollëk, “arsyetohen” me qëllime që duken të pranueshme; si, për të mbytur varfërinë, për të jetuar më mirë, për të ndihmuar të tjerët, apo për të krijuar një luks, si diçka në çka ka të drejtë njeriu që “punon e sakrifikon” më shumë.

Arsyetimin për veprimet e veta personazhet sikur e gjejnë në sistemin e krijuar të antivlerave, karakteristikë kjo e një bote të kriminalizuar, dhe një sistemi që tërheq brenda “si mulliri grurin, kokërr për kokërr”, shprehje lajtmotiv kjo, që e takojmë që në fillim të veprës. Pastaj IKJA ofrohet si i vetmi shpëtim, edhe pse vet ikja është humbje në vete. Dhe këtu qëndron paradoksi. Në botën krimin hyn për “të mbijetuar”, e “të mbijetuarit” ta ha kokën!

Kështu edhe krye-personazhi Albert Tivari, përkthyes e studiues, në tentativë për të ikur nga bota e krimit dhe e punëve të pista në të cilat ishte zhytur në vendlindje, kishte filluar specializimet jashtë shtetit.

Duke depërtuar në veprimet e tij intelektuale, zbulojmë arsyen e vërtet të ikjes.

Por, puna e tij prej përkthyesi na zbulon një personazh nga e kaluara, Mateo Labeatin.

Kjo paralele mes dy personazheve, si paralele e dy botëve, zbulon dallimet në mes të shkuarës dhe të tashmes.

Shënimet e Mateos paraqesin një kthim mbrapa, në retrospektivë, në formën e bestsellerëve të Gijom Musës, ku rrëfimi, çast mbas çasti, ndërron formë, gjithnjë duke ndërtuar një fabul unike.  

Kurse, rrëfimin për Mateo Labeatin, “të humburit më të madh” të veprës, Marku e ka inkorporuar, në mënyrë krejt diskrete, pothuaj pa dashje, por paraqet kulmin artistik të veprës. Momentet më prekëse janë të lidhura për këtë humbës, i cili i kishte zhgënjyer që të gjithë, qëkur i “kishte braktisur”.

Kthimi i tij në vendlindje, dhe vizita varrezave të fshatit, para se të binte në botën e harresës, përmbledh tërë vuajtjen e atyre që kanë ikur, duke ia lënë vendin heshtjes dhe harresës. Kthehet nga varrezat e të parëve, duke parë se as aty nuk kishte vend për të, kthehet i HUMBUR, “i vdekur për së gjalli”.

Dilemat për një “dënim” të merituar, apo “fundin fatkeq”, e përcjellin lexuesin gjatë tërë kohës kur ballafaqohet me çmimin që personazhet e paguajnë.  

Çmimi që duhet paguar për të dalë, pasi që njëherë ke “hyrë në sistem” është tepër i lartë, dhe autori sikur u jep porosi atyre që i takojnë botës së këtillë, se nuk mund të shpëtojnë. As me ikje! Dhe se humbja i pret. Qoftë në burgje, apo në varre; si një vdekje nën “mbidozë”, likuidim, aksident, apo edhe “vdekje për së gjalli”.

Nëse kthimi në retrospektivë të kujton bestsellerët e Gijom Musës, me këtë ndërlidhje fatesh mes personazheve dhe me zbërthimin dinamik të situatave, në formën e një hetuesit të krimeve, të përkujton Den Brown.

Pra, del qartas se ndjekja e dëshirave, ka pasojat e veta. Çmimi i “vdekjes për së gjalli” në vepër nivelohet me peshën e vdekjes biologjike. Mëkati nga tundja është prezent gjithkund dhe gjithherë.

Tundja mund të vijë nga bukuria dhe dashuria, apo nga dëshira për një jetë luksoze. Dhe kjo është e përbashkëta tragjike e tyre, e përbashkëta e dy botëve.

Fundi tragjik i Tivarit dhe të dashurës së tij e dëshmon qëndrimin e autorit ndaj botës së krimit, pasi që edhe pse të “larë” nga e kaluara, ata sikur nuk meritojnë të vazhdojnë jetën.

Por, jo vetëm se personazhet dalin humbës. Në vorbullën e kësaj humbjeje, humbin vlerat tona, të cilat i takojnë të së kaluarës, “kalldrëmit të vjetër”, të mbuluar nga pluhur, por që në nënvetëdijen tonë, vlerat megjithatë ruhen këtu ndër ne, por duhet t’i zbulojmë dhe t’i kultivojmë ato. Apo së paku t’i konservojmë, që si të tilla të na shërbejnë për t’u lavdëruar, sipas asaj, ja se kush ishim ne!

Vlerësimi për njerëzit e thjeshtë që spikatë në veprën e Markut e që përmban në vete atë që në kujtesë mbajmë ne të gjithë “fëmijët e fshatit” kuptojmë nga prindërit e Mateos, por dhe nga biseda që një moment Alberti e bën me taksistin. Taksisti i cili derisa Alberti dhe të tjerët ishin  të zënë me “punët e mëdha” ai fliste për familjen e vet, për darkat  e përbashkëta nga e cila Alberti nxjerrë përfundimin se “lumturinë e bëjnë gjërat e vogla por mashtrohemi nga grykësia”.

Duhet veçuar se mënyra se si i rrëfen dhe i gërsheton, të gjitha këto tablo dhe efekte të pashlyeshme letrare, brenda një tërësie, dëshmon një laborator të mirëfilli estetik në bagazhin krijues të Mark Pashku.  Prandaj, duke e parë si lidhur me këtë truall, me “atë kalldrëmin që e ka mbuluar dheu dhe koha” kam bindje se paralajmëron një thesar artistik që pret çastet për të dalë në dritë. Njëjtë si ai kalldrëm që takojmë në veprat e tij, që kur i hiqet dheu dëshmon lashtësinë dhe pasurinë tonë kulturore, ashtu pres që koha të zbulojë pasuritë artistike e letrare që ka Mark Lucgjonaj.

Në Tuz, më 09 maj 2022/Kallnori.org     

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.