Në festivalin evropian shohim se të gjitha këngët e popujve të ndryshëm përkthehen në anglisht, përjashto ndonjë rast këngën franceze, spanjolle apo ndonjë filo sllave. Ndokush që po lexon vetëm këtë fjali dhe s’ka shkuar më tej në tekst do ngutet të më tregojë se sa tuhaf qenkam unë që nuk e kuptoj se kjo është një gjë tashmë e tejkaluar dhe do të më përmendë shkaqe të ndryshme administrative që kanë të bëjnë me supremacinë e anglishtes etj., por askush nuk mund të më bindë me argumente estetikë se nuk kam të drejtë të mendoj se këngët duhen kënduar në gjuhët përkatëse.
Së pari, nëse jemi ithtarë të globalizmit dhe të standardizimit, kjo hyn në punë kudo tjetër përveçse në art. Nëse një nga qëllimet e organizimit të festivalit evropian është të shpalosë koloritin e kulturave të ndryshme, larminë etno-kulturore të kontinentit e më gjerë, atëherë është e ditur se gjuha është shenja më dalluese e çdo kombi. Së dyti, teksti i këngës, pra përgjithësisht poezia, është e papërkthyeshme. Në poezi edhe përkthyesi më i mirë në botë është tradhtar, jo vetëm i tekstit, por edhe i emocionit, i ndjenjës, i kontekstit psikologjik, kombëtar, social etj. Së treti, kënga është krijuar si një ngjizje e pandashme e tekstit me muzikën, i muzikalitetit të tekstit me muzikalitetin e muzikës qysh në çastin e krijimit të saj në habitatin e vet etnik. Së katërti, poezia vetë është arti i imazheve. Por në dhënien e imazheve jo çdo gjuhë përdor të njëjtat mjete. Gjuhëtarët thonë se çdo gjuhë ka ca njësi të çuditshme, që nganjëherë kanë trajta fosilesh gjuhësore, siç janë idiomat dhe janë të papërkthyeshme dhe të pazhbëshme në elemente dhe kanë kuptim vetëm për përdoruesit e gjuhëve përkatëse. Edhe brenda dialekteve të një gjuhe ka vështirësi në komunikimin poetik. Asdreni ynë ka pas tentuar ta përshtaste “Lahutën e Malcis’” në dialektin e jugut, por pa rezultat. Imagjinoni të kënduar në gegnisht këngën e njohur: “Kur më mbledh shkarpa në brinjë/ atje do të zë pusinë.”; kur në Shkodër shkarpa u thonë këpucëve të prishura dhe pusia ngatërrohet me fjalën pus. Pra i bie që përkthimi të jetë: “Kur më mbledh krande n’mal/ aty tash po të za pritë.” Ç’do të ndodhte sikur vargjet e famshme të këngës franceze: “Avec me souvenirs? J’ai allume le feu” t’i përkthenim: “Me kujtimet e mia? Do të ndez zjarrin”? Veç kësaj, sado njohës dhe shqiptues i mirë të jetë këngëtari, asnjëherë nuk e ka sigurinë dhe saktësinë e shqiptimit të fjalës si në gjuhën e vet. Pastaj festivali evropian nuk organizohet për të krijuar mbivendosje kulturore, përndryshe ai do të ishte festivali i këngës angleze. Së fundi, do të pyesë ndokush: kush je ti që merr gjithë këtë guxim? Dhe unë përgjigjem: Sa herë kemi parë e po shohim prirje dhe gabime që vijnë nga personalitete dhe struktura që të frikësojnë me madhështinë e emrit të tyre? Të imagjinojmë sa herë ndërrojnë rregullat në politikë, në kulturë, art, futboll etj. dhe gjithmonë ndërrojnë se paskan qenë të gabuara.
z.v .