«Flirti civil dhe ambasadori» nga Rexhep Hoti

0
389

Nga Rexhep Hoti

«Flirti civil dhe ambasadori» të Rexhep Hoti. Në fillim do të paraqesim «Prologun», në gjashtë ndarje, ashtu siç është, më pas do të vazhdojmë me botimin e romanit gjithashtu me vazhdime.

Prolog – (Made in Kosova is Made in USA)
I.
Brenga e shfaqur e një miku është gjithnjë një shqetësim për tjetrin. Një qortim i tillë bëhet shumë më i vëmendshëm kur ke mëdyshje se të vërtetat e vëna në pah janë shumë delikate, aspak të përshtatshme për t’u paraqitur në çfarëdo forme të trajtesës, aq më tepër në një mjedis që kundërmon rrezikshëm prej rrethanave plot me hipokrizi. Çfarë është në të vërtetë brenga për të cilën bëhet fjalë. Ajo është një sajesë dhe një e vërtetë që ndërlidhet drejtpërdrejt me versionin kryesisht artistik të mendimit. Në faqet në vijim do të ballafaqoheni me të vërteta të gërshetuara në publicistikë, në raste të tjera në fushat e paana intelektuale, në ato shkencore e, herë–herë në kryearenën e mbretërisë njerëzore, që është arti.
«Kah je nisur me këto realitete të kushtueshme, i nderuar? Më në fund ndaj kujt mund t’i shpalosësh ato!? A vlen aq liria e mendimit?». Ai fliste pa pushuar, si ta kishte mësuar përmendsh porosinë që dëshironte të më thoshte. Në çastin që përpiqesha t’i jepja ndonjë përgjigje, nuk dëgjonte aspak. Dukej hapur se, pas asaj që kishte lexuar në libër, nuk i interesonte më mendimi im. Në të vërtetë drejtimi i tij me shprehjen «i nderuar», më bënte për të kuptuar se tashmë e kishte marrë largesën e nevojshme në raport me mua dhe nuk pushonte së më gozhduari. «Ky libër është i parakohshëm. A do të ishte i qëlluar politikisht, i mençur dhe substancial nga ana e shoqërimeve humane, i përdorshëm dhe shtytës nga pragmatizmi i përtashëm. Në fund të fundit, a do të ishte i qëndrueshëm ndaj së nesërmes. Njerëzit ndryshojnë, përmirësohen, korrigjohen. Ke dëgjuar për një mundësi të dytë, për planin A, për planin B ?…»
Ne e kishim mbaruar rrugën e «Matit» dhe kur arritëm në fundin e saj ku sapo është ndërtuar një rrethrrotullim, morëm drejtimin e rrugës së re së cilës i mungonte vetëm emri. Ajo shtrihej vërtet bukur me dy korsi në të dyja drejtimet, me trotuare dhe ndriçim të bukur klasik. Mirëpo, nuk kaloi shumë që ishim duke ecur, miku im më zuri për krahu.
«Kujdes, puseta është pa kapak».
U ndjeva tepër i trishtuar. Biznesmenët e vetëm që i kishte Kosova për eksport, që eksportonin hekurishte, e kishin vjedhur mbulesën e rëndë prej hekuri për ta shitur në Maqedoni. Vërtet më pushtoi një ndjenjë e keqe. Në ato çaste e keqja dukej se nuk mjaftohej vetëm me tokën. Kur ngrita kryet prej dëshpërimit pashë se tek–tuk dikush i kishte thyer poçet e llambadarëve të sapovënë. Tmerr. Një dëshpërim qiellor më pushtoi aty për aty. Ky ishte kulmi. Provova t’i thosha mikut tim se kjo është realisht Kosova që ti po kërkon ta mbulosh me vel të bukur, por m’u duk shumë patetike. E përmbajta zemërimin. Në të vërtetë shtëpitë që ishin të ndërtuara sipër rrugës m’i zbutën paksa ‘ndjenjat e tmerruara’ nga vjedhësit endacakë. Ato bashkë më truallin ishin të uzurpuar dhe me kalimin e kohës ishin shndërruar në normalitet në Kosovë. Bah, po çfarë budallai që jam, thashë me vete. Unë po i qaja kapakët e pusetave të vjedhur dhe poçet e llambadarëve të thyer, ndërsa anash rrugës njerëzit e kishin vjedhur edhe tokën, edhe shtëpinë. Pa dashje vështroja disa prej tyre dhe i njoh banuesit brenda saj. Aty ishte i vendosur një gjykatës. Pranë tij një prof. dr. i universitetit publik. Më tutje dekani i një fakulteti. Ja edhe ca prej komunarëve në radhë, në mesin e të cilëve kishin zënë vend, si meteorë të rënë prej qielli, ca prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kishin këmbyer nderin dhe lavdin me një vjedhje ordinere, të gjorët. Madje disa prej tyre e vodhën edhe shkollën. Ngjashëm me ca partizanë të dyzet e pestës. Në mos më keq.
«Më dëgjon apo si e ke hallin?», befas dëgjova zërin e mikut.
Ia bëra vetëm ‘po’ me krye se zëri më ishte shteruar nga trishtimi. Ai nuk ndalej e as nuk më jepte hapësirë për të folur. Ndonëse libri i kishte pëlqyer, kimia përbrenda i prishte punë, sepse ajo do ta identifikonte edhe atë si ithtar të ideve dhe të vërtetave të përbashkëta. Afërsia e tij me mua, befas po bëhej e rrezikshme edhe për të. Mbështetja e vazhdueshme që dikur kishte dhënë për mua mund ta veçonte drejt skajeve të humbura e kërcënuese të politikës. Të paktën kështu mund të lexoja kohë pas kohe ndërmjet mendimeve të tij të bëra tërkuzë. Nuk kisha dyshim se shqetësimi i tij ishte i arsyeshëm. Sidoqoftë, derisa mëdyshjet më vinin përpara si vargmalet shqiptare kur provon t’i kapesh nga dritarja në çastin që je duke e ngarë makinën nëpër kurrizin e tyre tekanjoz, të bukur e vrasës njëkohësisht, mu aty ku edhe fillon skëterra e thellësisë së frikshme, unë po bëja tutje i vetëm e me një fije shprese se nuk do të mbizotëronte keqkuptimi gjithandej. Por e kundërta. Kambana e jo heshtja. Një lindje e jo groposja. Nuk e dëshiroja më gufimin e pakontrolluar të popullit tim. E shoh. Ai është lodhur tmerrësisht.
Një stërkeqe e serishme do të ishte fatale, vdekjeprurëse për të. Dhe prapë i vetëm mbi shpinën e vargmaleve, me njomësinë e lirisë së Kosovës, besoja më parë, madje jam krejt i sigurt tashmë, se legjendat e dala që andej, të mjegullta dhe me peshën e rëndë të flijimit, ishin më afër t’u ofronin njerëzve besimin e tyre sesa të vërtetat, mesazhet e librit.
Çfarë të bëja me brengën dhe besimin e shqetësimit!? Liria për të guxuar për t’u shprehur lirshëm, qoftë edhe artistikisht, mbi disa prej devijimeve të drejtuesve vendorë, ca prej të cilëve dje ishin rritur me mallin, përkushtimin e shpresën se një ditë Kosova do ta fitonte lirinë, të një diplomati imagjinar, supershteti i të cilit e kishte bërë të mundur që gjysma e kombit shqiptar ta fitonte mëvetësinë e mohuar në mënyrë të dyfishtë për njëqind vjet nga pushtuesi serb dhe nga kushërirët e mi matanë alpeve e matanë deti, më varte, më ekzekutonte shpirtërisht në hanxharin dykrerësh hamletian. Më e keqja rrinte aty pranë meje apo më mirë të them në mua. Ishte ndërgjegjja ime ajo që nuk po mund ta pushtoja për t’ia grisur para fytyrës sime shkarravinat e një libri. Ajo e kishte ndarë mendjen dhe nuk pyeste aspak për mua. Përkundrazi. Një ballafaqim të rastit me kushtet dhe rrethanat e librit ndaj pjesës aktive të pasqyruar në shkronjat e arsyetonte me elokuencën e përmirësimit të subjektit. Trajtimi ua ofron një shans për një fillim të ri, më duket se dëgjoja diku zërin e saj. Kisha lexuar diku një poezi të bukur mbi ikjen e Mojsi Golemit. Vetëm tash mund ta kuptoja, ta ndija më bukur mundin, djersët e shpirtit të poetit gjersa do ta ketë krijuar botën e një ndërgjegjeje në ekzekutim e sipër. Atë zero çast kur heroi lirik i Golemëve nxjerr shpatën për ta vrarë ndërgjegjen e vet ndan udhës së pluhurosur. Trimi ka frikë njëkohësisht. Ai nuk lë prapa tym, por diçka shumë më të madhe se kaq. Ai lë prapa re, si një marre të përjetshme. Gjithçka dihet me gjeneralin. Ai nuk lë mëdyshje prapa, prandaj nuk mund të kishte as tym, paqartësi. Por kthjelltësi. Ashtu pastër, siç priste shpata e tij, si të ishte ai harkim i krahut një prerje laserike. Dhe në qoftë se mund të thuhet se tradhtia ka çaste të bukura, e në trajtimin estetik mund të thuhet, atëherë «Moj–ziu» ka trimëri të mjaftë për ta mbytur më parë pjesën njerëzore përbrenda qenies së tij e më pas i dorëzohet i zbrazët anës armike, që ia çau panda barkun shtatzënë kombit shqiptar për pesë shekuj. Dhe gjersa shkruaja si i marrë, mbase nën dehjen e dëlirit të madhështisë, mund të thotë dikush, dëgjoja zërin e mbytur të ambasadorit tim fantazmë nëpër jehonat e thyera të rreshtave:

Lutja e Superfuqisë

SHBA

1.
Çfarë bën, o mik, të lutem?!
A s’më fal në emër të investimit,
Të dijes
Që sollëm te ju,
Me anije, avionë e satelitë!?

2.
Ishit të harruar pabesisht nga njerëzit,
Ishit të harruar pavullnetshëm nga stinët.
Vetëm brymë binte mbi njomësinë e petaleve.
Askush nuk ishte aty
Për të derdhur, qoftë edhe një pikë loti,
Për ju;
Në rrethin e mbyllur të shovinizmit ortodoks
Ishit katandisur në vetmi
E nuk kishte askush t’jua numëronte copëtimet
Gjersa nuk zbritëm në Gadishull ne,
I dashuri mik!

3.
Përse kaq mospërfillës ndaj vetvetes tuaj!?
Ju sollëm kapital e shpresë
Kur rrugët tuaja kundërmonin gjenocid,
Kur vashat e dhunuara
Nuk kishin mundësi as të vetëvriteshin.
Kur shumëçka në atdheun tuja ishte e pabesë!Kur mbi supet e thyera të grave skipetare,
Mbanin shënim,
Majat e thikave barbare!
E ju nuk mëtoni ta keni
As të ardhme, as kujtesë,
Për Republikën tuaj të Re?!

4.
Çfarë bën, o mik!?
Më godet rëndë e pamëshirë me liri.
Si Akili i tërbuar prej guximit trojan
I derdh të palarat tuaja mbi mua,
Ti prapë asgjë s’kupton?!

5.
Çfarë do të kesh nga e drejta e mendimit?
Në letër çfarë do të shkruash nuk e di!
Në emër të lirisë së shprehjes
Vetëm kaq di!
Ta ekzekutoni mirësinë!
Çfarë kurore do të thurë në trurin tuaj të qullosur,
Çfarë përralla, o kryebosh,
O i pagdhendur prej shtetit të Hotit!
O shpellar i etur për lavdi!

6.
Çfarë bën, o mik, të lutem shumë?!
Mos e harro Atdheun!
Dikur të lanë vetëm me qen endacakë e kufoma!
Vetëm me varre!
As mallkimin shtatëqindvjeçar
Për të t’i djegur kullat e kreshnikëve,
Mos e harro!
Kafshimet gjithandej mbi trup,
Gropat nëpër Gadishullin Ilir
Të stërmbushur me shqiptarë!
E ti çjerresh pas lakmisë së paligjshme,E godet atdheun pa marre
E nuk ka kush të të thotë
Një fjalë qoftë:
Ndalo!
O komandant, o spiun, o i ligu gomar!

7.
Mos harro, i shtrenjti mik!
E bëmë së bashku ëndrrën, ardhmërinë,
Kur gratë e Krushës së Madhe i varrosnin baballarët, fëmijët,
Në prag të shtëpisë, në dhoma, nëpër bodrume, më 1999;
Edhe kur ato e harronin mbiemrin prej Hoti,
Prej tmerreve të ushtrisë pushtuese,
Për të mbajtur gjallë ndonjë djalë,
Të ikur pabesisht në mërgim!
Edhe kur kufomat e studentëve
I tërhiqnin zvarrë barbarët,
Mbi maja a poshtë maleve të Pashtrikut,
Bashkë me prijësin e luftës me nofkën «Kapuçi»
Gjithandej nëpër kufij;
Siç tërhiqej Hektori në agoni të vdekjes,
Skaj mureve trojane prej të tmerrshmit, prej zemërimit, Akil!

8.
Ju e dini, i dashuri mik!
Pak çaste ju ndanin nga Fundi i Përjetshëm,
Kur skipetarja thoshte në Deutsche Welle:
E ktheva kryet mbrapa dhe thashë:
Paska marrë fund Kosova!
O, ashtu tha Perëndia,
Engjëjt ishin pranë jush në fund të mijëvjeçarit që iku!

9.
Në emër të Zotit!
Mjaft më, miku im!
Atdheun mos e përdhos,
Mos harro kurrë!
Pa ne,
S’do të vinte për ta çliruar Kosovën,
As Europa, as Turqia, as babasulltan!
Askush!

10.
Çfarë bënë?
Ju dolën në krah me armë,
O mik!
E ti, nuk merr vesh i pllakosur prej ligësisë!
Përse më bën
Arm-ik!?

11.
Liria është e kushtueshme për njerëzit, Miku im!
As xhepi, as shpirti s’e përballon dot.
E kam shumë të vështirë të ta them,
Atë që nuk ta thashë kurrë,
Kur ti nuk e kupton këtë Lojë
O i dashuri, miku im, idiot!

12.
Më fal,
Të të them nuk është ndjesia ime!
Është kodi i qytetërimit tuaj. E di!
Ju, ka kohë që nuk shihni
Asgjë të mirë përbrenda jush,
Vetëm etjen e madhe për ikje,
E keni ëndërr!
Dhe ju ndjek si rrjedhë lumi
Ky ves barbarë,
O, Mik!

Krushë e Madhe, vjeshtë e vonë, 2011;
Prishtinë, 2017

Sa herë që e dëgjoja këtë zë diku në skajin e djathtë të ndërgjegjes, e vija në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e lirisë së të shprehurit e jo vetëm librin. E ç’më duhej ajo!?
«S’di çfarë të them! Libri më pëlqen shumë, por kam frikë… s’di në qoftë se duhet thënë doemos disa të vërteta… ajo puna e ambasadorit imagjinar… si ta them… mund të jetë një keqkuptim fatal… shumë i rëndë… a më kupton… »
Për t’i ikur sikletit e thërras në ndihmë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i citoj Amendamentin e parë ku është «përkufizuar liria e fjalës së lirë».1 Por, miku im është kundërshtari rebel. Ai nuk dorëzohet lehtë, pavarësisht se lodhja e ka bërë pak më nostalgjik në këmbënguljen e tij për t’i mohuar përqasjet e mia.
Posa dolën në tatëpjetën e rrugës së Fakultetit Teknik filloi të binte një shi i imtë. Nuk kisha kapelë me vete dhe fillova të mendoja nëse mund ta blija një në këto orë të vona.
«Realitetet janë më ndryshe nga realitetet e kushtetutave. Eja more në vete», më drejtohej duke më kapur për krahu. «Në fund të fundit, ato janë çështje që duhet t’i preokupojnë amerikanët… s’janë për shqiptarët… aq më pak për ty…».
Goditjet e tij nuk prajnin. Kërkoja ndihmë nga Europa. Ia sjell krejt vetvetiu mendimin e bukur të filozofit i cili thoshte se pavarësisht nga e dhëna që nuk pajtohem aspak me ty, jetën e jap që t’i ta thuash mendimin e tendë të lirë. Dua t’i dëshmoj pak idealizëm në gjithë këtë pështjellim. Mbase do të hyjë në punë.
«Lëre filozofinë. Nuk të amniston ajo, ti ke hyrë llugave», ma kthen krejt qetë dhe fare i pandikuar nga mendimet që unë i cilësoja edhe të bukura./www.poeziarh.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.