Një histori e përsëritur në pothuajse secilën familje arbërore e shqiptare. Një udhëtim aspak i bukur, ku personazhet e paktë, shpesh nuk njohin as vetën e tyre e aq më pak tjetrin.

Ngjarja zhvillohet kur pushtimi osman ishte në periudhën e vet të lulëzimit dhe me shpejtësi kishte filluar faza e konvertimit. E gjithë historia në këtë roman, kalon nëpër sytë e një malësori, që prej moshës trembëdhjetë vjeçare ishte ndarë nga familja për t’u bërë meshtar. Fra Uka, një prift me emër Ujk, është dëshmitar i atyre që po ndodhnin në vendin e tij, ku ushtritë osmane hynin sipas qejfit të pushtuesëve fitimtarë. Nga djegia e kuvendit të fretërve, vetëm fra Ukën arrijnë ta shpëtojnë fretërit e tjerë, të cilët i lënë një mision për ta kryer.

Romani qarkullon nëpër kohë të vështira e kur askujt nuk mund t’i besohej. Dyshimi dhe tradhtia kishte hyrë kudo, edhe në shtëpi të Zotit. Presioni, Kanuni, besa dhe pushtuesi, janë katër elementet që gërshetojnë psikologjinë e filozofinë e kësaj historie e cila nga fillimi në fund, është një rrëfim në vetën e parë për sakrificën e një populli për mbijetesë.

Mitologjia dhe realja bashkëjetojnë në këtë roman krejt normalisht, e gjithashtu bota e të gjallëve me atë të vdekurve. Këshilltarët më të mirë të fra Ukës janë meshtarët e vdekur. Kjo vjen aq natyrale në roman aq sa edhe vetë fra Uka që edhe pse është një meshtar, shfaqet një njeri si gjithë të tjerët që edhe tundohet nga bukuria e Martës, edhe mbron fuqishëm dashurinë e Lulës duke sfiduar të gjithë.

Kurorëzimi që mes të vdekurit dhe të gjallit ndoshta është edhe krejt esenca e romanit. Një skenë unike në letërsinë shqipe që vjen aq reale saqë vdekja e humbet tërësisht peshën e saj. Nuk zë më vendin e vetë. Eshtë aty prezente për t’ia lëshuar vendin dashurisë që do godasë në zemrat e të gjithëve.

Jeta e të gjithëve në roman është e mbushur përplot me intriga, me shpifje, rreziqe, tradhti e vrasje. Fra Uka na del si meshtar, si patriot, besnik e besëshkelës. Mirëpo falë pastërtisë së tij dhe besimit te misioni që ka për të kryer ai ia del që fjalën e kërkuar nga fretërit e tjerë ta çojë ne vend. Ai bashkëpunon me të gjithë besimtarët e vetë, edhe me ata që tashmë i janë ndarë nga grigja. Nuk largohet nga ata, u qendron afër, i ndihmon e iu kërkon ndihmë. Ato pak libra të shkruara në shqip, bashkë me Mesharin e Buzukut, disi duhen shpëtuar. E këtu historia e romanit ngërdheshet me atë realen, ku Meshari pas pesë shekujsh gjendet pikërisht në Vatikan.

Romani ka një gjuhë të thjeshtë me nota arkaike që shkrihen me të folmet e Malësisë. Fjalitë e shkurtra e rrisin dinamikën. Mëngjeset lindin të bukura e pastaj ngadalë gjërat rrotullohen.

Ajo që autorja do të besojë se shpëtohet në këtë histori, shpëtohet. E nëse shpirti apo palca shpëtohet, përherë ka shpresë për ringjallje. Mirëpo unë si lexues, nga të gjitha pyetjet që më kanë ardhur nëpër mënd, dua të parashtroj një pak më komplekse sipas meje,  Lula dhe Gjoni prisnin një fëmijë, e duke njohur historinë e këtyre dy personazheve pyes veten dhe lexuesin: cila do të ishte kjo foshnje?

Një roman që lexohet shpejt, por që të futë të mendosh gjatë!/Kallnori.org

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.