Takim me arqipeshkvin e Arqipeshkvisë së Tivarit, Mons. Nikolla Dobreçiq (Dobreci)
Një ditë prej ditësh, të muajit të korrikut të vitit 1941, shkova në Tivar, te arqipeshkvi Nikolla Dobreçiqi, njëmënd me njëqind parë ethe në shtat, sepse gjithçka vlonte e askush nuk ishte i sigurt. Dëshiroja të bisedoja a kishte ndonjë farë plani argjipeshkvi për mua, lidhur me shkollimin e mëtejshëm. Kërkova të bisedoj me të ai pranoi pa fjalë.
I thashë: Shkelqësi, a mund të më bani vend ndokund ta vazhdoj shkollën?
- Biro, – më tha, – në këtë kohë të përzier lufte, nuk di se mund të bëj gjë. Ishim në oborr para kurjes e shëtisnim; ai e ka pasur zakon të qëndrojë gjatë në këmbë, të thuash, me përjashtim të kohës që i është dashur përdhunë të ulet e të rrijë, krejt kohën tjetër e ka kaluar në këmbë, duke ecur o nëpër dhomë, ose, kur ishte koha e mirë, jashtë nëpër bahçe, ”Eja, – më tha, – të hyjmë brendë”.
Hymë brenda. Më pyeste për shumë gjëra, si të isha unë i madh: ”Ç’qendrim kishin marrë italianët e shqiptarët me shqiptarët e rrethit të Ulqinit, a i përsekutonin, a kishin burgosur ndokënd, a kishin filluar t’i internojnë”.
Unë mundohesha t’i përgjigjëm si më mirë dija, por çka dija unë, një djalosh në Klleznën e vogël. I thashë se deri tash nuk kam ndëgjuar gjë të tillë, por më duket se populli, tash për tash, nuk është i prishur, sepse i duket se është bashkuar me Shqipërinë. Shkojnë në Shkodër, flasin shqip, tregtojnë e deri tash kush nuk u thotë gjë, për sa kam dëgjuar unë.
Dikur mora guximin e iu drejtova: - Po nëse unë mund t’i baj hall vedit, Ju a më kundërshtoni?
- Jo, – më përgjigji disi, të thuash, pa u menduar aspak. E vazhdoi:
- A ke farë shprese se mund të shkosh në Shkodër?
I përgjigja: ”Po, Zotni!”
Nuk bëzani. Diçka mendonte. Unë vazhdova: - Atëherë, Shkelqësi, ju nuk do të kini farë kundërshtimi?
- Jo, – më tha, – shko nëse mundet.
Po e shënoj se në krejt kohën folëm shqip, çka nuk e ka pasur zakon më parë. Atëherë nën zë ma këndoi një këngë që ka qenë ”hit” në kohën e rilindasve shqiptarë:
”S’ jemi sllavë as s’ jem’ bullgarë,
Por jem’ vllazen shqipëtarë,
Kemi ndodhur njerëz t’ pashkollë
E na thërrasin të gjithë barbarë….’.
E la, zuri vend sa fryma e më tha lehtë:
- Ti mos e këndo se asht këngë patriotike e mund t’i shihet sherri! I ishte zgjuar diku në thellësinë e shpirtit ndonjë gen shqiptar që e bëri të shprehet ashtu. Kush e di, ndoshta lidhur me identitetin e vet kombëtar pati në atë çast ndonjë ”lucida intervalla!”
Dobreçiqi të parët i ka pasur prej Ljares, por ai duket se ka lindur në Tivar. Kaherë, asaj dore shqiptarësh ka filluar t’i vijë marre për identitetin e vet kombëtar. Edhe ky e ka mbajtur veten botërisht për ”iz plemenite srpske porodice” – çka s’është aspak e vërtetë, por ashtu i ka konvenuar! Barazi, ka mundur të thotë se është gjerman, anglez ose edhe… por neve na duhet t’ia pranojmë gjithkujt atë që ai e ndjen veten. Çudi si një pjesë e shqiptarëve që kufizohen me malazezë, mbahen për malazezë, kurse muslimanët – mjaft prej sish – e mbajnë veten muslimanë, kurse ortodoksët për grekë. Sa shumë na kanë dobësuar kombëtarisht. Nuk e di si. Mjerisht ajo pjesë e shqiptarëve – Shestan e Ljare – e pohojnë ballafaqe se janë ”malazezë” e nënat e tyre nuk kanë ditur të flasin serbishten dhe dikur kanë qenë me ndjenja të mëdha shqiptare. Këta, posa bien në Tivar që ishte si thotë Shufflay: ”civitas Albaniae mediae aetatis” në ”Acta et Diplomatia res Albaniae mediae aetatis”, tash njëmend jo të gjithë, por shumica thonë se janë malazezë. U vjen marre të dëftohen çka janë. Ç’t’i bësh. Dikujt i pëlqen ashtu… Ndoshta kjo dukuri në psihen e njerzëve do të lypet të studiohet më thellë, që të gjendet ndonjë arsye të përligjen njerëzit e të mos vlerësohet si ”pakurrizësi”.
E përshëndeta argjipeshkvin dhe u nisa për Kllezën. Pas disa ditësh, në korrik të vitit 1941, më pranoi Dom Alfons Tracki, famullitari i Velipojës, dhe më ndihmojë të hyj në Seminarin Papnor Shqiptar.