Vazhdimisht më ka intriguar qëndresa e fiseve malësore, mbijetesa e tyre kundër pushtuesve që kanë qenë të shumtë, trimëria dhe mençuria që prijësit e këtyre fiseve kanë treguar gjatë lëvizjeve të tyre politike. Kështu, gjatë fëmijërisë sime, jam rritur me biseda e gojëdhëna të ndryshme që kanë pas të bëjnë po me këtë temë, për heroizma dhe për tragjedi nga më të ndryshmet të cilat i ka përjetuar Malësia dhe fiset e sajë. Kështu, që herët kam filluar t’i shënoj disa gjëra nga të vjetrit, por më së shumti jam munduar që t’i kërkoj në formë të shkruar këto histori, të shkruara nga historian që kanë hulumtuar dhe shkrimet e tyre i kanë mbështetur në fakte. Andaj, në këtë shkrim do të paraqes disa fakte e të vërteta historike për familjen e parë të Rapshës dhe Hotit në përgjithësi, por jo vetëm, për dinastinë e prijësve të familjes Lucgjonaj e cila daton që para marrjes së titulli bajraktarë. Kështu, para se të bëhej bajraktarë, Luc Gjoni Junçaj, nga paraardhësit e tij gëzonte titullin Vojvodë.

Por, historia e Lucë Gjonit (si bajraktarë) daton që në luftën e Ulqinit, atë të vitit 1696 ku ai bashkë me 300 hotjanë shquhet në luftë kundër Venedikut, luftë në të cilën hotnit ishin vendimtarë.

Në këtë luftë pati edhe tjera fise të Shqipërisë së Veriut, të cilat ishin të detyruara që të luftonin përkrah osmanëve, sepse i gjithë territori i tyre ishte i pushtuar dhe administrohej nga osmanët. Kjo përkon me kohën kur fiset e Shqipërisë së veriut, kishin filluar të integroheshin në administratë, sepse represioni e kishte bërë të vetën, andaj në zonat fushore kishin filluar të jetonin edhe familje shqiptarësh të besimit katolik, pasi deri në shekullin 18, në fushë mund të jetonin vetëm ata që pranonin të konvertoheshin.

           Sipas shumë studiuesve, me Luc-Gjonin, fillon edhe zyrtarisht krijimi i Bajrakut dhe institucioni i Bajraktarit. “Në përpjekje për mbrojtjen e Ulqinit kundër sulmit venedikas luftuan edhe bajrakët e Malësisë së Mbishkodrës, ku u shqua për trimëri bajraktari i Hotit. Për këtë meritë ai u trajtua si bajrak i parë”

            Luc Gjoni në këtë luftë vinte si vojvodë, si kapiten i Hotit, për të fituar më pas edhe një titull të ri në këtë betejë, titullin e bajraktarit ose flamurtarit.

Përveç titullit, porta e lartë i premtoi Luc Gjonit dhe hotjanëve edhe shpërblime të tjera. Pasi u këshillua me Hot dhe me Malësi, Luc Gjoni i kërkoi Portës së Lartë tri kërkesa:

  • E para, të liroheshin burrat e Malësisë të internuar nëpër Anadoll;
  • -e dyta, djemtë e Malësisë ta kryenin shërbimin ushtarak brenda territorit shqiptar dhe
  • e treta, taksa që Turqia kishte aplikuar për Malësinë të hiqej.

Këto tri kërkesa Porta e lartë i plotësoi në tërësi, mirëpo tetë vite më vonë, Luc Gjonit do t’i kërkohej që të konvertohej në islam, pasi Perandoria Osmane kishte ndërmarrë reforma që kërkonin besnikëri ndaj sajë. Për të vazhduar respektimin e marrëveshjes, Luc Gjoni pasi u këshillua me Hot dhe me Malësi, vendosën t’i përgjigjeshin pozitivisht kërkesës së Perandorisë. Nga dy djemtë që kishte, Nikën dhe Vujin, Luc Gjoni vendosi që ta konvertonte në fenë islame vetëm Nikën, duke i dhënë emrin Mehmet – Luc Gjoni.  .

            Ndërsa në fusnotën 23 të  librit (Kahreman Ulqini, “ Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror”, Akademia e Shkencave e RPS e Shqipërisë, Tiranë 1991, f.19-20.) , shkruan: “ Bajraktar i parë i Hotit ka qenë Luc Gjoni, me emrin e të cilit njihen pasardhësit (Lucgjonaj). Sipas trungut gjenealogjik që e morëm në Hot, duke filluar nga bajraktari i fundit, bajraktarë qenë: Deli Meta, Metë Çuni, Çun Mula, Mulë Haxhia, Haxhi Mustafa, Mustafë Nika, Nik Luca, Luc Gjoni.”

Këta breza janë nga dega e Nik Luc Gjonit ( Mehmet Lucës) dhe paralelisht me ta po paraqes brezat që dolën nga Vuj Luca: Mark Staka, Stakë Breci, Breca Luli, Lul Doçi, Doç Deda, Dedë Vuji, Vuj Luca, Lucë Gjoni.

 Kështu, pasardhësit e  Lucë Gjonit (Junçaj), Mehmeti dhe Vuji, ndërrojnë mbiemrin nga Junçaj në  Lucgjonaj. Ashtu siç është e gjithë historia shqiptare, nën një çati, jetonte Bajraktari i Hotit dhe Malësisë me dy djemtë e tij, njërin me emër katolik e tjetrin me emër islam, gjegjësisht Luc Gjoni me Nikë-Mehmet Lucen dhe Vuj Lucën.

Deri në vitin 1943, edhe degëzimi i Mehmet Lucës, deri te Liko Man Haxhia mbanin mbiemrin Lucgjonaj. Shkaku për ndryshimin e mbiemrit ishte se Deli Meta Lucgjonaj, një ndër prijësit e strategët më të zotë malësor, kundër copëtimit të tokave shqiptare nga fuqitë e mëdha dhe dorëzimit të Hotit Malit të Zi, figuronte në listat e shtetit si armik, e për këtë gjë, pasardhësit që mbanin të njëjtin mbiemër me të, ishin të detyruar që të paraqiteshin çdo ditë në postën policore në Tuz. I vetmi pasardhës mashkull me moshë madhore ishte Smajl Haxhia i cili pasi ishte lodhur nga ky raportim i përditshëm, e për t’i ikur këtij detyrimi, ndryshon mbiemrin nga Lucgjonaj në Çunmulaj, mbiemër që e mbajnë edhe sot.  Duhet cekur se pas vendosjes së kufirit në Han të Hotit, Mul Delia dhe pasardhësit e tjerë të Luc Gjonit që mbeten në Shqipëri e ndryshojnë mbiemrin nga Lucgjonaj në Bajraktari.

Varri i Luc Gjonit gjendet ne Kushe, për krah varrit të Çun Mulës dhe Deli Metës, për bri shtëpisë ku jetoi me dy djemt e tij.

Veprimtaria e bajraktarëve të Hotit, pra Familjes Lucgjonaj tashmë të degëzuar në tre mbiemra, Lucgjonaj, Çunmulaj dhe Bajraktari,  për ruajtjen e atdheut, për komb,  për gjuhën shqipe e për ruajtje të identitetit shqiptar,  ka vazhduar dhe vazhdon edhe në ditët e sotme.

Në vazhdim të këtij shkrimi, nuk do të merrem me figurën e Çun Mulës, sepse mendoj se për të ka mjaft shkrime dhe studime; as me atë të Mul Delisë për të cilin gjithashtu kemi mjaft të dhëna,  mirëpo në fokus të shkrimit tim do të jetë një tjetër figurë e madhe e kësaj familje, pikërisht Stakë Breci Lucgjonaj.

Do të kisha dashur shumë që në këtë shkrim të mund ta kisha inkuadruar edhe një figurë tjetër të madhe të familjes Lucgjonaj, Deli Metën, mirëpo ënde nuk kam grumbulluar materiale të mjaftueshme për të përcjell të plotë historinë e këtij patrioti të madh.

Por, ajo që dua të paraqes në këtë shkrim është një këngë që e ka kënduar populli për Deli Metën, këngë që ma ka treguar gjyshi im Mark Staka dhe që e kam mbajtur mend dhe shënuar më vonë. Dhe sa herë që e këndoja, gjyshi më thoshte se Deli Meta ishte njeri me “orë”, pra që nuk mund të vritej, se ai luftonte në këmbë, dhe asnjëherë nuk ulej për tu fshehur.

Kushtrimi i Deli Metës

Treguar nga Mark Staka Lucgjonaj

Deli Meta fjalë ka çua,

Kush e rrah telin për mua,

Kush e rrah po thotë Delia

Jam n’hall vet e Tanë Shqipnia

Se i ka ra Hotit Serbia.

Si t’ja bajmë o Bajraktar?

Si t’ja bajmë , hallit ooo?

Bini burra asqerit s Krajlit

Bini burra haj me det,

Sa tu kenë rrypat fishekë,

Ç’po luftojnë k’ta djemt e Hotit

Me fishekë e me nime të Zotit.

Gjithashtu, për tu lexuar më lehtë, pasi ky shkrim i referohet lexuesit të gazetave dhe revistave, kam hequr fusnotat dhe kam lënë vetëm burimet se ku jam mbështetur për ta hartuar këtë shkrim.

Stakë Breci Lucgjonaj

1841-1916

Stakë Breci Lucgjonaj

Stakë Breci Lucgjonaj, u lind rreth vitit 1841 në Narhelm të Hotit dhe vdiq një ditë të ftoftë dimri me shumë reshje, në vitin 1916. Ngase shiu i madh dhe kushtet e këqija atmosferike e pamundësonin që kortezhi me të vdekurin të shkonte në varrezat e Kushes  ku ishte edhe  varri i familjes, Stakë Breci varroset në Vuksanlekaj, në varrezën e Qeut të Dolecit, pikërisht në truallin e varrit të Zef Gjekës Dedvukaj nga Narhelmi.

Nga martesa e parë, Staka kishte pasur një vajzë e cila pak para se të gëzonte ditën e dasmës, kishte vdekur. Pas tre vitesh, i vdes edhe e shoqja Bjeshk Rruk-ja që ishte nga Kastrati.

Në moshën 69 vjeçare martohet për herë të dytë, me Katrinë Zek-ën, Sinishtaj. Katrina kishte qenë e martuar më parë në familjen  Gojçaj, ku pas vdekjes së burrit, sipas traditës, ajo detyrohet që të braktisë djalin e vetëm dy vjeçar, Marashin, dhe të kthehej përsëri në shtëpi te i ati Zek Baci Sinishtaj. 

 Staka dhe Katrina patën dy djem, Markun dhe Rrokun. Marku ishte vetëm 4 vjeç kur  vdiq Staka, ndërsa Rroku lindi vetëm tre muaj pas vdekjes së tij.

Staka vdiq nga  një dhimbje e fortë barku, pa e ditur nga se vuante pasi mjekësia ishte jashtëzakonisht e pazhvilluar. Kjo dhimbje  e  mundoi vetëm pesë ditë.

Shkrimin dhe leximin e ka mësuar në Shkodër, por nuk dihet se nga kush apo në cilën shkollë. Gjithashtu, ai fliste turqisht dhe serbisht. “Turqisht dinte mirë edhe nana ëme,”– më thoshte Mark Staka gjatë bisedës. Tana k’to i di prej nanet, nanTinet ( Katrina-nanTina) se ajo em kallxote çpesh e pa me dvetë.  200 metra e ka pas kalldrëmin deri te dera e shpisë. A ken njeri i drejtë e i mëçim. Ma ka lejua djalin me ardh e me tej ktu, e ma ka nimua edhe me t’holla. Disa herë ka ardh edhe Ded Gjo Luli en Kull, me bjesedua me Staken, e me u këshillua me ta; ( më tregonte Mark Staka se si i thoshte nëna e tij Katrina). Nana em ka dek en mars 1965, me 1 marsk ka hi en dhe, – më tregonte Marku.  

Në moshë të re, 7 vjeçare, Staka ngelet jetimë, pra i vdes i Ati, Breca Luli. Axha,  Baca Luli bashkë me të birin e tij Marashin 4 vjeçarë,  Stakun 7 vjeçar, vëllaun tjetër të Stakës,  Dakun (i cili vdes 19 vjeç duke mos lënë askënd pas vetes)  vendosen për të jetuar në kullën e sapo-përfunduar në fshatin Narhelm, kullë e punuar nga dy vëllezërit Breca Luli e Baca Luli Lucgjonaj. Pronat e tyre shtriheshin që nga Bjeshka e Hotit, Kushja e Hotit, Narhelmi, Tuzi, Vranja, e Vuksanlekajt.  

Baca Luli, axha i tij, e rriti Stakën si djalin e vet, duke u kujdesur për çdo detal, sepse te ai kishte vërejtur një zgjuarsi të veçantë. Madje ai e shtynë edhe që të shkollohet.

Kjo ashtë edhe arsyeja pse e kam dashtë shumë Prëtash Gjokë Marash Bacin ( më thoshte gjyshi im Mark Stakë Breci, për të kushëririn e tij me të cilin kanë jetuar një kohë të gjatë në një shtëpi, në shtëpinë e njëjtë që kishin ndërtuar dy vëllezërit, Breci-gjyshi i Markut dhe Baci- stërgjyshi i Prëtashit).

 Staku ishte edhe njohës i mirë i Ligjeve të vendit pasi shpesh (pasi do të rritej)do të merrte pjesë në pleqësi të ndryshme e gjithashtu punonte edhe në Xhibalin e Shkodrës. Xhibali ishte një zyrë që kishte si funksion kryesorë administrimin e bajraqeve  të Malësisë së Madhe,Rranzave, Mbishkodrës, Dukagjinit, Postrribës, Shllakut e Temalit. Staka, pas disa viteve, do të bëhej njeri me zë për sa i takon çështjes kombëtare shqiptare dhe luftës për liri, deri Bashkëpunëtor i Ali Pashë Gucisë, Pater Gjonit, Bec Patanit dhe i Dedë Gjo’ Lulit. Në të gjitha dokumentet e gjejmë krah për krah me Çun Mulën e  Metë Çunin.

Baca Luli do të jetonte gjatë dhe kjo do të ishte një arsye e mirë për forcimin e pasardhësve ( të besimit katolik) të Lucë Gjonit, të cilët të parët erdhën e u vendosën për të jetuar në Narhelm, e më pas, u bashkëngjiten edhe kushërinjtë e tjerë, dega e  Mehmet Lucës që sot njihen me mbiemrin Çunmulaj.

Për shkak të veprimtarisë për liri dhe pavarësi, Stak Brecit  do t’i digjej shtëpia tre herë, dy herë nga malazezët e një herë nga turqit, ku hera e fundit mbahet mend edhe nga Mark Staka i cili i kujtonte momentet e ikjes në anën tjetër të Liqenit të Shkodrës dhe kthimin në shtëpinë e djegur ku luante si fëmijë në hirin e saj.

Stakë Breci në protestat dhe memorandumet kunder okupimit të Malësisë nga Mali i Zi

Veprimtaria e Familjes Lucgjonaj, Bajraktarëve të Hotit ka qenë një veprimtari tejet energjike. Në vijim, shkurtimisht po paraqesim disa nga lëvizjet e ndërmarra nga prijësit e Hotit dhe Malësisë që vijnë pikërisht nga kjo familje e që janë të dokumentuara. Të gjitha këto dokumente janë mbledhur e sistemuar nga historiani dhe profesori,  Pjetër N. Ivezaj te libri me titull “Pak histori me kohët e zjarrta” të cilit do t’i referohemi në vazhdim. Gjitashtu edhe nga Gjergj Nikprelaj, te libri “Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911”. 

  • Në protestën e 16 Qershorit, 1878, kudër vendimeve të  Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878)….u prinë të nënshkruarve Çun Mula  Lucgjonaj;
  • Në protestën e Shkodrës, 21 shtator 1879, dokumentin e nënshkruar e prinë: Met (Ahmet) Çuni Lucgjonaj – bajraktarë dhe i pesti me radhë, Stakë Breci Lucgjonaj,
  • Në takimin e krerëve në Shkodër, ku takohen krerët e Malësisë së Madhe, më 2 Prill 1880, në qendër të vëmendjes ishin Hoti, Gruda dhe Kelmendi, Çun Mula i thotë valiut Izet Pasha se “ nëse është i vërtetë urdhri për dorëzimin e këtyre maleve, atëherë Hoti nuk do të jetë më besnik i sulltanit”,
  • Te Memorandumi i 4 Prillit 1880, letër drejtuar konsullit të Anglisë z. Kirby Green, kundër nënshtrimit ndaj çfarë do lloj pushtimi e qeverisje të huaj, si nënshkrues i parë është Çun Mula Lucgjonaj – bajraktarë i parë dhe i pesti në radhë Stakë Breci Lucgjonaj- vojvodë.
  • Protesta e 18 Majit 1880 drejtuar përfaqësive të huaja diplomatike në Shkodër, i pari nënshkruar Çun Mula,
  • Deklarata e Tuzit, 16 korrik 1880, ku shprehet mes tjerave edhe vendosmëria  për të luftuar ushtrinë malazeze dhe për të fituar pavarësinë……, si prijës i të nënshkruarve është Met Çuni Lucgjonaj – Bajraktar i Hotit dhe i treti me radhë, Stakë Breci Lucgjonaj – krerë.
  • Besëlidhja Hot-Grudë-Kastrat-Shkrel më 9 qershor 1883, të gjashtin në radhë të nënshkruar e gjejmë Stakë Brecin Lucgjonaj,
  • Besëlidhja e Malësisë së Madhe me Malësinë e Gjakovës, e vitit 1883 për të bashkëluftuar kundër çdo pushtimi… të parin të nënshkruar kemi Met Çunin Lucgjonaj- bajraktar i Hotit dhe i nënti me radhë Stakë Breci Lucgjonaj (Hot);
  • Në takimin e 16 shtatorit në Tuz, ku u takuan Komisioni Ndërkombëtare Kufitar me Bajraktarët, i pranishëm ishte edhe Met Çuni Lucgjonaj, Hot.

Rëndesinë e kësaj figure e tregon edhe pjesmarrja e tij në të ashtuquajturin: “Memorandumi i Kastratit” i vitit 1883 drejtuar fuqive të mëdha, të cilin po e paraqesim të plotë në vijim;

Memorandum:  Kastrat me 9 qershor 1883

1.Ne jemi duke shkruar ketë apel pa ndonjë shpirt kryengritës apo urrejtje për sovranin tonë të madhërishëm … por jo vetëm sepse jemi provokuar me çdo lloj plagosje ,shtrëngimi apo shtypje të ndërmarrë prej qeverisë lokale të vilajetit të Shkodrës.

2.Vetëm kur ne u siguruam se e njëjta qeveri ishte duke komplotuar në mënyrë të pashpirt dhe me mungesën e humanizmit për të realizuar shkatërrimin tonë , kur vendosi të shkelte me këmbë ligjet tona tradicionale ,kur urdhëroi masakrimin e malësorëve tanë paqësorë ; kur ndërmori shndërrimin arbitrarë të pronave tona , kur fyu nderin e grave tona ,kur kërcënoi jetën e bashk-kombasve tanë qytetar të frikësuar të qytetit të Shkodrës , dhe së fundi kur dërgoi kundër nesh njerëz të armatosur ,për të na sulmuar me armë. Vetëm atëherë  ne e ndjemë veten të justifikuar t’i kundërpërgjigjemi dhe të zmbrapsim me armë dhunën që na u imponua.

3.Kjo qeveri duhet të lënë mënjanë idenë për të na sulmuar përsëri , ne gjithashtu do të ndërpresim armiqësitë ; megjithatë jemi të vendosur të mbajmë edhe më tutje pozicionet tona mbrojtëse për të siguruar vetveten dhe për të parandaluar , për sa do të jemi në gjendje çarmatimin e fiseve tona dhe shitjen e padrejtë të tokave tona tek i huaji (serbo-malazezi)

4.Qeveria e këtij vilajeti e ndihmuar moralisht dhe materialisht prej atij që është armiku ynë ,është duke proceduar me të gjitha mënyrat dhe fuqitë e saj për të realizuar projektin ,që ajo ka ndërmarrë : shpronësimin nga pronat tona stërgjyshore dhe pas kësaj, shfuqizimin e ligjeve tona tradicionale dhe në këtë mënyrë të na bëjë ne skllevër të despotizmit vet.

5.Ne të dobët ,të pakë në numër dhe të varfër në çdo gjë , ka mundësi që të “dorëzohemi” , por nga ky moment ne protestojmë dhe bëjmë me dije se nuk përkulemi vetvetiu ndaj dhunës së padrejtë të ushtruar kundër nesh ; ne apelojmë ndaj Fuqive të qytetëruara të Evropës për ndihmë dhe përkrahje morale në këtë ngushticë të dëshpëruar , në të cilën jemi vendosur.

6. Ne jemi të sigurt se Evropa e qytetëruar do të jetë pikërisht përkrah nesh ashtu si ka qënë edhe më parë me kombet e tjera ,dhe nuk do të lejojë që një popull , pa arsye të tjera përveç atyre politike të privohet prej substancës së tij ,ligjeve të tij , zakoneve të tij e të jetë i detyruar të zhvillohet nën një qeverisje , e cila është duke e shtypur e persekutuar atë dhe njëkohësisht është duke menduar shfarosjen e tij.

Ne nuk po vendosim këtu vulat tona ,mbasi ato janë të skalitura në gjuhen turke ,por po vendosim shenjen tonë .

Nënshkruesit:

Nikollë Mirashi Hasani , Dedë Gjon Luli , Mal Gjoka , Ujkë Miculi , Lucë Muça , Stak Brezzi (Stak Breci- shënim i autorit), Smajl Martini , Kolë Kurti , Sokol Baci , Chiz (Nikë) Gila , Shaban Smaku , Dodë Preçi , Keqo Prela , Tom Nikolla , Gjel Vuksani , Lekë Vata , Prendash Zefi , Marash Mirashi , Sokol Mirashi..

Siç shihet firmëtaret u përkasin maleve të Hotit ,Grudës dhe Kastratit.

Ky apel apo memorandum siç shkruhet në fillim të tij u dërgohej fuqive evropianë nëpërmjet konsujve të tyre të vendosur kryesisht në Shkodër. Njeri nga ata që njoftonte edhe marrjen e këtij memorandumi ishte edhe konsulli Britanik Kirby Green , i cili ketë memorandum e shoqëron me raportin e tij të datës 15 qershor 1883.. Por prijësit e krerët e Malësisë Madhe pas 17 ditëve përpilojnë memorandumin e dytë prej nëntë “pikash” ,memorandum që u drejtohej përsëri përfaqësuesve të fuqive të mëdha në Shkodër .

Perseri me 26 qershor 1883 perfaqesuesit më në zë të Malesisë Madhe u dergojnë perfaqesuesve të fuqive të mëdha në Shkoder një memorandum të “dytë”…Si Kuvendi i Kastratit dhe memorandumet nenshkruhen nga prijësit e maleve të Malësisë.. : Dedë Gjon Luli , Nikollë Mirash Hasanaj , Mal Gjoka , Ujkë Miculi ,Lucë Muça , Stakë Breci , Smajl Martini , Kolë Kurti , Sokol Baci , Chic (Nikë) Gila, Shaban Smaku , Dodë Preçi , Tomë Nikolla , Gjel (ndonjeherë shkruhet Brahim) Vuksani , Lekë Vata , Pretash Zefi , Mirash Mirashi ,Sokol Mirashi..

Krahas trimave të tjerë, që vepruan për liri dhe pavarësi, me pendë dhe me armë, rrehtohet  edhe Stakë Breci Lucgjonaj, bashkë me Çun Mulë Lucgjonaj, Dedë Gjon Lulin, etj., fotografuar nga Pjetër Marubi.

Në foto, me nr. 1 ulur, Deli Meta Lucgjonaj, në këmbë me nr.2 Stakë Breci Lucgjonaj

Stakë Breci dhe “Lahuta e Malësisë”

Te kryevepra e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malsisë”, Emrin Stakë Breci e gjejmë në dy beteja të ndryshme; njëra kundër Serbo-Malazezëve përkrah forcavë të Lidhjes së Prizrenit, kurse herën e dytë në Betejën e Qafës së Uglit.

Në vitin 1879, pasi forcat e Lidhjes në krye me Ali Pashë Gucinë, pas luftimeve të ashpra, arritën që të lidhin  paqën  e përkohshme përmes Patër Gjonit, Bec Patani dhe Stakë Breci me 20 burra të tjerë, lëshohen në tokat e Malit të Zi  me një mision, që të furnizonin me ushqime ushtrinë e Lidhjes Shqiptare (të Prizrenit).  Bec Patani dhe Stak Breci janë dy akterët kryesorë në këtë ngjarje të Lahutës që paraqitet te kënga me titull “Ndërmjetësia”

Lajmësi, Mark N’koll Gera, shkon që t’i lajmërojë se paqja ishte prishur dhe ushtria malazeze po sulmonte fshatrat shqiptare, dhe se po tentote  t’i zinte në befasi forcat e Lidhjes.

Për të qenë e qartë ngjarja, po paraqesim një pjesë:

Kqyr shka bâni aj Bec Patani !
Kur avitë âsht vathit t’ berr’ e,
Ulë kacuk permbas nji ferre, 530
Me dhâmë ksulen aj ká kapë
E tue e mbajtë naltë me grykë hapë,
Ndo ‘i vizhvizhe edhè tue ndezë,
Nisë << laroshit >> m’ i u ngerdheshë.
Tue e pá qëni, zên e tutet, 535
E si kij mbrendë stelit futet,
Kû, strukë m’ ânesh, ndêjë kacuk,
Mâ as’ lehi, as jashté s’ u duk.
At herë Beci e qaj Stak Breci
Hinë kaleças nen hajat, 540
Kû ken ndie se permbi shtrat,
Shtrue ‘i lkurë viçi e mlue me plaf,
Fjetë dikush rrin e gerhat:
Nji Shkjá plak, i madh sa ‘i trap
Shllungë lshue vetllat permbi sý, 545
Me nji hundë si shpuer ngerthye,
Qitë << zdragushë >> e <<allti>>nen krye
Vjerrë fyshekët m’ kaptuell t’ katheders,
Si atà dhâmët e lmashketë t’ kulsheders.
Dy langoj si lshojn m’ kapruell, 550
Kur t’ a marrë pushka kundruell,
Dy currilash tue i shkue gjaku:
Kshtû janë lshue Beci edhé staku
M’ at të mjerin morè Shkjá.
Qi gerhitte pa i a dá  555
E qi as anderr s’ isht’ tue pá,
Se shka at herë ishte tue e gjetë.
Nji herë Beci, ndersá fjetë
Ishte Shkjau, armët i a ká tretë
Edhè hjedhë larg n’ nji kaçubë. 560
Zgjohet plaku, don me brité;
Por stak Breci me nji rubë
Gati i rrin, n’ gojë tue i a qitë,
E s’ e lên, jo, me piskatë.
At herë lidhë plakut të ngratë 565
I a kan duert me brez mbas shpinës
E tue i grahun m’ tundë t’ <<martinës>>
E vênë para me u çilë vathin:
N’ fishkullim atý edhè thrrasin
Shokët e vet, e mbasi dashit 570
Hojn kumonen edhè skjapit,
Dhên e dhi kan lshue prej rrashit,
Dá dý tufësh e drejt Sutjeskës
I kan nisun hijes s’ bjeshkës
Neper halë e neper ah; 575
Njâni prij e tjetri grah,
Rrugë mbi rrugë, e shtek pa shtek:
Si ato bishat nper shkorret,
Kur t’ i mârrë i ziu ezgjet.
Mbas sish shkjau shkote tue u dridhë, 580
Me shtupë n’ gojë e me duer lidhë,
Dèr qi kapë ata janë n’ cak
Të Shqypnis me Karadak.
Kur kan ardhë e dalé n’ Shqypni
Edhé berret paten hî 585
Bukur kthelltë permbrenda n’ breshtë
Prej kah Shkjau s’ kisht’ pse me u dreshtë,
Bec Patani, nji sý – xhixhé,
Ká thânë plakut: Halláll, mixhë !
Pse pak sande t’ kem’ tundue, 590
Vathin gjâjet tue t’ shkretnue,
Pa na pasë ti gjak as varrë,
Ne pré mik, ne erzin marrë,
As thye vi, as luejtë kufi,
Veç e pse ti Shkjá ké lé, 595
Edhè bân hije mbi dhé,
Per shka faj kurrkund nuk ké.
Por mos kap mëni me né
Pse kjo nderë mund të gjêjë gjithkend:
Lpýhen lopët, po thonë, me rend… 600
Veç nji punë, po, mbaj n’ mend:
Se mund t’ rrim na me duer m’ i,
Sa her knjazi i Malit t’ Zi,
Toçë me vênë e me raki
E ashtu jerm edhé kllapí 605
Po ngrehë top, po dyndë ushtri
Edhè del e bjen n’ Shqypni
Jo per t’ mârrun dhên e dhi,
Si na mârrë t’ i kemi tý;
Por per t’ shtruemun nji Shqypní. 610
Por per t’ qitë Shqyptarët n’ robni:
Jo, per Zotin, lavdi Zotit !
Se s’ mund t’ ketë n’ mjet nesh faré godit
Dér qi m’ çika na mos’ t’ jesim,
E shosho’ it carâ’ n e voters 615
Vendit mos t’ i a kem’ na shkulun,
Edhè mbyllë deren me ferrë!
Kshtû i ká thânë, e e ká shlirue,
Edhé lânë e ká me shkue.
N’ ato fjalé qe se ‘i djalosh 620
Del prej shkurrjet me nji kosh
Ngarkue m’ shpinë e ‘i spatë vjerrë m’ krah,
Pa pushkë n’ doré pa thikë n’ sylah,
E pa ksulë, qyqari, m’ krye:
Koparanin brrylash shkye, 625
Dy kapakësh n’ parzem shperthye:
Plasë shallvar”rt e mârrë m’ nja’ n i
T’ pa ilik e t’ pa tehri:
Pulpat njeshë tanë gjalma e zhanga,
Shtjerré këputa e shtjerrë opanga: 630
Ujë djersitëe krejt llomitë,
Gervishtë duer e gervishtë ftyrë:
Mos me mujtë të mjerin m’ e kqyrë
Zemra n’ bark per pa t’ u lmeké
Per shka date se kisht’ hjekë. 635
<<More>>! i briten Lekët p’ r’ iheri.
Ndore t’ uej! pergjegji i mjeri
Brimet t” Lekvet ka’ u trishtue,
<<Hutat>>m’ parzme q’ i a ki’ n vû.
Se ‘i i Mirditas kam qillue, 640
Lé në Mnelë, n’ Bajrak të Spaçit,
Ndêjë me shpi n’ anë t’ Kalivaçit,
Mark Nkollë Gera êmnit m’ quejn,
Zeza e vedit, jo e tje’ rkuej,
Kumari me at Bec Patanin, 645
N’ kje se ndie i a keni zânin:
Qi Ali Qorrin aj pat vrá,
Kur pat dalë ky n’ vá t’ pa vá
Me çue Becin lidhë nder pranga,
Por qi sod i kndohet kenga 650
Ke at ditë m’ hutë i punoi çarku.
Po a thue ti jé, kumarë Marku?
Po i thotë Beci, tue i u afrue:
Kumarës doren ká shterngue,
E ç’ janë falë faqe per faqe, 655
Si âsht zanati nder bajraqe
Të Shqypnis. Mande’ e pëveti:
Po ç’ t’ ká sjellë këtij shkorreti ?
Shka t’ ká hjedhë e prû n’ ket dhé
Me sharrue nder ujq e Shkjé ? 660
Veç rreziku, lum kumara !
Persè sod, me kênë e mara,
Un me u gjetun në Shqypni
M’ okë e m’ copë, e m’ plang e shpi,
Kû m’ la Zoti e t’ Parët e mí. 665
Por shka se rreziku i zí
M’ çoi me u vrá me do shokë t’ mi,
Edhè dola e ràsh n’ Mal t’ Zi,
Kû vendue kjeçë me ‘i zotni
E kû shkue e paçë do mot… 670
Shkue do mot, eh ! ndihmo, Zot !
Por as teper keq, me thânë…
Veç sa mos me mbetë pa ngrânë.
Kur, qe, tash, qi lufta u ndezka,
Vin e m’ kapin rrezga – bjezga, 675
Edhè m’ vênë per mbas urdis,
Per me çue zahire ushtris:
Nata e dita mue me m’ shkue,
Si po m’ shef, me kosh ngarkue.
Miré, po, sende un hikë u kam, 680
Jo pse lodhë e merzitë jam;
Edhè mârrë kam gúr e shkam
E pershkue jam nper kto rrmore
Porsi iriqi neper shkorre,
Veç per t’ ardhë e me u diftue. 685
Si Shqyptarë qi kem’ qillue:
Se jue Shkjau âsht tue u rrethue:
Per mbas beset qi kje vû.
Per të dekun e t’ varrue.
Mark Milani urdhen ká dhânë 690
Qi me ‘i herë ushtrija e tânë
Me u dyndë sande prej Sutjesket;
E tue u shtrimun per rrânzë bjeshket,
Para dritës me ndjehë n’ Nokshiq,
Per me u shti mandej n’ kariq. 695
Prande’, ashtû si m’ duket mue,
Duen Thekë kambët edhè shpejtue,
Punen Krenve m’ u a diftue;
Perse ndryshe, vetë po drue.
Se me shkue puna fort vonë 700
Mund t’ sharrojë kjo ushtrija e jonë.
Kshtû tha Marku. Me shosho’ in
At herë trimat bisedojn,
Edhe dájn qi Marku e Beci,
Zhukë Isufi e njaj Stakë Breci, 705
T’ lêjshin shokët me plaçkë permbrapa.
E t’ u nisshin me t’ mdhej hapa
Per Sutjeskë, e ket dredhi
T’ Komandarit t’ Malit t’ Zi
T’ i a diftojshin me nji herë 710
Ali Pashës e Krenve tjerë.
E pse Marku s’ kishte pushkë:
E pa pushkë, si n’ mal, si n’ fushë,
Sidomos në kohë të luftës,
Punë e vshtirë âsht me shkue rrugës, 715
Kshtû i ep Staku njat <<zdragushë>>
Me fyshekë e njat <<patllake>>.
Qi ‘i herë Shkjaut per nen rradake
I a muer Beci edhe u dha krah
Por qi Staku n’ ferrë s’ i la:
720
Pse, tue u nisun shokët me berre,
Pushkë e allti aj zier prej ferre,
Kû ato Beci ‘i herë i treti,
Edhe i mêrr t’ dyja me veti:
Pushken n’ krah, alltin n’ sylah
. 725
Marku at heré hjedhë koshin n’ tokë,
Edhe niset me tjerë shokë,
Neper bjeshkë, me dalë n’ Sutjeskë.
Kur n’ Sutjeské trimat kan mrri
Te Ali pasha fill kan hî 730
E i diftojn si Mark Milani
Ushtris s’ vet êmer aj bâni,
Me u nisë naten per Nokshiq,
per me i shti Shqyptarët n’ kariq,
Rruga e shtiqe tuj u zânë, 735
Tu’ u a shti rrethin âné e m’ ânë.
Ali Pasha m’ kambë âsht çue
Krén e t’ Parë aj ká bashkue
E t’ kan nisë me kuvendue:
Si m’ i a bâ e tek m’ i a bâ, 740
E ne e mbramet edhe kan dá,
Per Nokshiq ata me çá;
Por tue e lânun nji forcade
Treqind vetësh n’ Sutjeskë dér n’ nade,
Me Prêlë Tulin, Komandár: 745
Terri i natës, thonë, âsht trathtár !
Kështû punen dau Parija,
Edhe naten vija – vija
Per Nokshiq u nis ushtrija.

Me datën 6.Prill 1911, Stakë Breci është aktiv përsëri, por kësaj herë kundër turqëve, bashkë me ata pak malësorë që iu përgjigjen thirrjes së Dedë Gjo’Lulit:

Ç’t’ka lëshue atëherë Gjok Luk Miculi,

Lulash Zeka e qaj Stakë Breci

Lik Mirashi e Gjokë Dedë Luli

………

Gjatë viteve 1913-1921, Hoti vazhdimisht ishte i përfshirë në konfrontime të ashpra me serbo-malazezët. Në vitin 1914, Dedë Gjo’Luli organizoi rezistencën e hotjanëve në bashkëpunim me Stakë Brecin e Lucgjonajve. Kështu, derisa vdiq, ky patriot e atdhetarë vazhdoj që të punonte për Lidhjen Shqiptare dhe çështjen kombëtare që fuqitë e mëdha bashkë me Turqinë, e katandisën. Kështu, historia e Familjes Lucgjonaj, brez pas brezi ka dhuruar njerëz që kanë punuar për Malësinë e për të mirën e saj, ku  Luc Gjoni, Çun Mula,  Stakë Breci, Met Çuni, Deli Meta,  i përkasin historisë së para çlirimit, ndërsa me  Mul Delinë (me mbiemër Bajraktari) fillon historia e pas çlirimit, një histori fame, por edhe dhimbjesh e internimesh, ku historia e Mul Deli Bajraktarit është e pasqyruar në librin që ka botuar i biri i tij Kastriot Mul Bajraktari, bazuar në kujtimet që i ka lënë i ati i tij Mul Delia.

Me vendosjen e kufirit mes Hotit, ndahen edhe pasardhësit e Luc Gjonit. Kjo është edhe arsyeja e ndryshimit të mbiemrit nga ana e Mul Delisë, nga Lucgjonaj në Bajraktari. Sot, pasardhësit e Luc Gjonit, jetojnë në Shqipëri dhe Mal Të Zi, por edhe në emigracion, duke filluar nga shtete të ndryshme të Evropës e deri në SHBA, ku mund ti hasësh në tre mbiemra, ( Lucgjonaj-Çunmulaj-Bajraktari) dy konfesione(katolik e mysliman) e një kombësi, Shqiptar. Te kjo familje, jeton e gjallë edhe sot formula e Pashko Vasës: Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë.

Mark Lucgjonaj

Burimet:

  1. Edith Durham,”Shqipëria e epërme”,IDK, Tiranë.
  2. Kahreman Ulqini, “Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror” Akademia e Shkencave e RPS e Shqipërisë, Tiranë 1991
  3. Kahreman Ulqini,”Struktura e shoqërisë tradicionale shqiptare”, Idromeno, Shkodër, 2003
  4. Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”, Qendra e katolikëve shqiptarë jashta atdheut, botimi i dytë, Romë 1991
  5. Pjetër.N.Ivezaj, Pak histori nga kohët e zjarrta, Art Club, Ulqin, 2016
  6.  Llesh Prëç Smajlaj, Hoti, Gjenealogjia e pjesshme e tij, Rozafa, Hot, 2006
  7. (Dok. i cituar nga prof. Romeo Gurakuqi , Në një cep të Ilirisë ,monografi e shqiptarëve në Mal të Zi , fq.41-42 ,perg. Per botim nga Anton Kolë Berishaj, Art Club- Ulqin 2007
  8. Lukë Junçaj, Hoti përballë pabesive serbo-malazeze në dekadën pas Kryengritjes së vitit 1911, botuar në 100 vjet nga Kryengritja e Malësisë1991-2011
  9. Ndue Bacaj,  http://www.malesia.org/2015/06/09/132-vjetori-i-memorandumit-te-kastratit-kur-malesoret-besonin-te-europa/
  10. Gjergj Nikprelaj, https://zanimalsise.com/dede-gjo-luli-malesori-zemerzjarr-i-ceshtjes-kombetare-mbrojtesi-fisnik-i-trojeve-te-shqipes/
  11. Bisedë e zhvilluar me datën 10.shtator 2002  me të birin e Stakë Brecit, Mark Stakën Lucgjonaj, lindur me 10.gusht 1912.,vdekur më 20.12. 2007

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.