75 vjetori i vdekjes të të Lumit Dom Ndre Zadeja, Meshtar (03.11.1891. – 25.03.1945.)

0
284

Dom Ndre Zadeja, në listën e martirëve shqiptarë, në rend kohor, është i dyti që u pushkatua nga regjimi komunist, rreth katër muaj pas arrestimit të tij, pas të Lumit Dom Lazër Shantojës.
Lindi në Shkodër më 03.11.1891. Më 30.09.1913 hyri në Kolegjin Canisianum të Insbrukut (Austri), ku përfundoi kursin teologjik dhe më 16.03.1916 la Kolegjin dhe u kthye në Shqipëri. Kur la Kolegjin Canisianum në skedën e tij personale u vendos ky vlerësim: ”I përshpirtshëm, i dashur. Kandidati me shpresën më të mirë”. Pasi u kthye në Shqipëri, u shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës, së bashku me të Lumin Dom Lek Sirdanin, nga Arqipeshkvi Imzot Jak Serreggi, më 24.04.1916. Arqipeshkvi e deshi menjiherë si sekretar të vetin dhe i besoi detyrën zëvëndësfamullitarit të Katedrales. Dëshmon angazhimi i tij në ndjekjen e punimeve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rezidencës verore të Arqipeshkvit në Razëm.
Pas një viti të ardhjes së Arqipeshkvit të ri Imzot Lazër Mjedës, dmth., më 1922, për arsye shëndetësore i kërkon të zhvendoset tjetërkund, mundësisht në një famulli të vogël. Më 1923 Imzot Lazër Mjeda, duke pranuar kërkesën e tij, ia plotësoi dëshirën duke e emëruar në Barbullush (Mali i Jushit dhe Jushi). Prej vjeshtës së vitit 1924 deri në pranverën e vitit 1926 qe famullitar në Bogë. Prej vitit 1926 – 1934 qe famullitar në Shkrel. Me dekret të datës 05.11.1928 Imzot Lazër Mjeda e emëroi Dekan të të gjitha famullive të zonës së Malësisë së Madhe, si edhe të Rrjollit, Reçit dhe Lohes. Më 22.03.1934, vetë Arqipeshkvi i bëri me dije transferimin e tij nga Shkreli në famullinë e Sheldisë, ku qendroi derisa u arrestua.
Kudo ka jetuar e punuar në ngushticë të madhe ekonomike dhe nganjëherë nuk dinte as me se do të ushqehej. Gjithnjë e kudo qe bari i zellshëm, i kujdesshëm në përmbushjen e mbarështimit të tij baritor, duke u angazhuar me gjithë shpirt. Ipeshkvi Ndihmës i Shkodrës Zef Simoni, që e kishte njohur personalisht, ka lënë këtë dëshmi: ”Ai kishte marrë me shkrim të gjitha lutjet e vjetra, që populli i dinte dhe i recitonte përmendësh gjatë vitit liturgjik, i kishte përpunuar dhe i përdorte për të katekizuar të gjithë ata që i këndonin apo i dëgjonin. Në famulli ku ka qenë bari, nëse nuk e gjente të hapur shkollën, e hapte dhe kujdesej me përkushtim që fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm të mësonin dhe të shkruanin e lexonin, por të përgatiteshin për klasat më të larta.
I përgatitur siç ishte, donte që edhe besimtarët e famullisë së tij, katolikë apo jo, të dilnin nga analfabitizmi i thellë. Kohët ishin ato që ishin, mjeku dhe ilaçet nëpër ato male ishin më shumë se të rralla. Një herë i shkruan Arqipeshkvit të vet se në famullinë e Shkrelit sëmundjet ishin të shumta dhe nevoja për ilaçe po ashtu.
Qe i palodhur në mbrojtjen e fesë, të atdheut dhe të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Qe njeri prej shtatë shkrimtarëve më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar, zhdukur tragjikisht njëri pas tjetrit. Qe njeri shumë i kulturuar, një orator që dëgjohej me kënaqësi dhe një shkrimtar i fuqishëm, shumë i njohur dhe i vlerësuar. Ka shkruar melodrama, si p.sh: ”Ora e Shqypnisë”, ”Rrethimi i Shkodrës”, ”Rozafa”, e papërfunduar, ”Ruba e Kuqe”, ”Te Shpella e Bogdanit, ” Hijet e Zeza”.
Duke qenë një person shumë i përgatitur dhe i kujdesshëm për ata që ndodhte përreth tij dhe në tohën e tij, ishte plotësisht i vetëdijshëm se ku synonte regjimi komunist, përpara se të vinte në pushtet.
Nuk ishte vetëm kundër komunizmit, por nuk kishte bashkëndarë as qeverisjen e Zogut, që nuk ishte gjë tjetër veçse një diktatur e vërtetë, aq më pak pushtimit italian. Më 16.08.1944, praktikisht rreth tre muaj para ardhjes së komunizmit, duke predikuar në Shirokë, me rastin e festës së Shën Rrokut, mes të tjerash, Gaspër Marleci, pohon se u është drejtuar veçanërisht të rinjve të Shkodrës, pasi një rë e zezë, si një dragua, po mbulonte Shqipërinë dhe kur do të fillonte shiu i saj atëherë do ta kuptonin se çfarë ishte. Kështu, duke qenë se nuk e kishte duruar regjimin e Mbretit Zog dhe nuk e kishte miratuar pushtimin fashist, në momentin e duhur, nuk ishte vështirë për regjimin të gjente një shkak, duke e arrestuar në Sheldi, ku ishte famullitar, më 04.02.1945.
Regjimi e kishte pikasur përpara se të merrte pushtetin. Edhe pse u kërcënua në lidhje me predikimin që kishte bërë në Shirokë, nuk u frikësua aspak. Por ka edhe më tepër se kaq. Një ditë përpara se ta arrestonin në shkollën fillore të Sheldisë u bë një takim me krejt popullin e asaj zonë që të dorëzonte armët. U ftua edhe Dom Ndreu, i cili nuk shkoi. Për të trembur njerëzit, arrestuan edhe pushkatuan pa gjyq fshatarin Tomë Marku, i cili nuk kishte dashur të dorëzonte armët. Dom Ndreu, duke mos iu frikësuar asnjë rreziku, besnik ndaj misionit të vet, e varrosi në mënyrë të krishtërë atë viktimë, të vrarë barbarisht.
Ky veprim i dha një tjetër shkas Sigurimit për ta arrestuar, pos faktit se në famullinë e tij, te Kolë Sheldia, ishte fshehur Dom Lazër Shantoja, të cilin e kishin arrestuar disa javë më përpara. Nuk i kundërshtoi arrestimit, dukej sikur qëndronte atje në famulli, duke e pritur këtë gjë.
Atë Luigi Rosa S.I. në kujtimet e tij shënoi: ”Arrestohet nji tjetër meshtar, Dom Ndre Zadeja, ndoshta poeti ma i mirë shqiptar i këtyne viteve të mbramë.
I Lumi Atë Giovanni Fausti shkruan: ”Qeveria që është formuar këtu… dëshiron të jetë qeveri demokratike, dhe kështu quhet me fjalë. Në të vërtetë lindi një kualicion mes Partisë Komuniste Shqiptare, në varësi të asaj jugoslave të Titos. Në fshatra, katundarët duhet të mbajnë ushtrinë duke mos pasur asgjë, e merr ushqimin e përditshëm ku ta gjejë, dmth te familjet: kështu i merret familjes ushqimi i nevojshem për mbijetesë dhe nga kjo fatkeqësi goditën jo vetëm katolikët, por ata në veçanti.
Të mundimshme qenë kontrollet e bëra në Institutet e ndryshme rregulltare dhe në shtëpinë e Klerit… Edhe Etërve françeskanë të Shkodrës iu bënë kontrolle të shumta të imtësishme; por në mënyrë të veçant u vunë në shënjestër Etërit Jezuit të Shkodrës. Plot tetëmbëdhjetë herë ata iu nënshtruan këtyre vizitave pa u mbushur tre muaj prej ardhjes së regjimit të ri… u hapen edhe varret e kishës.
Por ngjarja më e rëndë është se Shtypshkronjat e ndryshme të Shkodrës janë bllokuar… nga partizanët, të cilët e përdorin për të shtypur fletën dhe materialet e tyre për propagandë.
Gjyqi nisi me hetuesin sfilitëse, bashkë me torturat, që filluan tri ditë pas arrestimit, më 07.02.1945. Hetuesia filloi qysh në shtator të vitit 1944, kur regjimi nuk kishte ardhur ende në pushtet! Më 16.02.1945 iu dha dënimi me vdekje.
Atë Luigi Rosa ka shkruar: ”Qarkullojnë fjalë të ndryshme rreth gjyqit që zhvillohet me dyer të mbyllura kunder meshtarit Dom Ndre Zadeja e Krenëve katolikë Prëk Cali me shokë.
Dom Mikel Koliqi, që qe me të në të njëjtin burg, dëshmoi për klithmat e tij gjatë torturave çnjerëzore që pësoi. Atë Dioniz Makaj O.F.M., qe rrëfyesi i tij në burg, dhe dëshmon: ”Kur Dom Ndreu doli prej qelisë… më tha: ”Atë Dionisi dua të rrëfehem, pasi po na çojnë për të na pushkatuar… Sapo arritëm aty Dom Ndreu u rrëfye”.
Më 25.03.1945 u flijua. Ishte e Diela e Larit dhe në mbarë botën përgatitej dhe kremtohej liturgjia solemne e hyrjes së Jezusit në Jerusalem.
Pasi e morën prej burgut së bashku me të tjerët, të gjithë të prëngosur njëri me tjetrin, vargu u drejtua herët në mëngjes kah varrezat e Rrmajit. Para pushkatimit, duke ngritur duart tha: ”Çfarë të bëj o Zot, më tepër për të qenë shqiptar e besimtar?” U pushkatua së bashku me Arif Selimin, Ndrek Lacën dhe me njëmbëdhjetë persona të tjerë, jashtë varrezave të Rrmajt të Shkodrës.
Atë Luigi Rossa S.I. ka shkruar për këtë rast tragjik: ”E Dielja e Larit – Rreth orës 6 e gjysmë të mëngjesit nji të shkrepun pushkësh tregon se asht krye nji ekzekutim. Ma vonë merret vesh se t’ekzekutuemit janë Dom Ndre Zadeja dhe 10/12 katolikë të malësisë.
Gasper Marleci ka kujtuar përsëri: ”Sandër Gera më tregoi: ,,Të nesërmen shkuam në shkollë. Profesori i gjuhës shqipe, Qemal Draçini na dha një temë të lirë hartimi duke na këshilluar për ato ngjarje që kishin ndodhur në ato ditë. Unë zgjodha temën ‘Kush e vrau bylbylin? Pse u vra bylbyli?’. Ndër të tjera shkrova: ‘U vra, sepse ishte apostull i fesë e i nacionalizmit! Sepse ishte atdhetar e antifashist! Sepse shprehu haptas qëndrimin e tij antikomunist. Sepse ishte ushtar besnik i Krishtit. Sepse ishte drejtues dhe organizator i rinisë dhe i Veprimit Katolik Shqiptar dhe ishte një ndër intelektualët dhe figurat më të ndritura të Shkodrës, të Shqipërisë dhe të klerit katolik’,,. Për këtë diktatura e Enver Hoxhës nuk mund ta duronte dhe e zhduku ndër të parët.”
Qe njëra prej ekzekutimeve të shumta në masë të urdhëruara prej teneqexhiut ngritur në lavdinë e Ministrit të Punëve të Brendshme të regjimit, Koçi Xoxe, që urdhëronte vartësit e tij, e pikërisht mbi Shkodrën: ”Vrisni, asgjësoni, digjni çfarë të doni, zhdukni kriminelët. Pjetër Pepa thotë, se armiku për nga raca apo për nga klasa nuk ishte gjë e rëndësishme. E rëndësishme ishte të sajohej patjetër armiku për të realizuar spastrimin dhe shfarosjen”. Kur Koçi Xoxe u arrestua më 02.12.1948 deklaroi: ”Për Veriun, kam dhënë urdhër Vaskë Kolecit që të vriste pa gjyq. Në të gjithë Shqipërinë, numëroheshin 60, por Koçi nuk është kënaqur dhe na ka thënë se numri i të arrestuarve duhej t’i kalonte 200. Atëherë u kemi urdhëruar seksioneve të Veriut që të arrestonin, në rend: 15 në Shkodër 15, në Koplik, 15 në Lezhë, 10 në Mirditë, 10 në Dukagjin, 10 në Pukë, 10 në Kukës…
Dom Tom Laca e varrosi në mënyrë të krishterë në varrezat e Rrmajt, ku gjendet edhe sot: trupi i tij u zhvarros në muajin shkurt 2016 me rastin e Lumturimit.
Imzot Frano Illia, Arqipeshkëv i Shkodrës prej 1993 – 1997 që e kishte njohur dhe e vlerësonte, në fund të skedës të Dom Ndre Zadejës është shprehur: ”Rrëzë kalasë së Shkodrës shkroi disa drama… Nëse jo drejtpërdrejt për fe, është martir i Besës shqiptare, i vëllazërisë dhe i dashurisë njerëzore. Mbrojtës i patrembur patriotik. (”Besa Shqiptare” është Partia Demokratike apo Demokristiane, themeluar në tetor të vitit 1943 nga Atë Anton Harapi O.F.M., i cili zgjodhi si gjallërues të Lumin Atë Gjon Shllakun O.F.M.).

Përshkruar nga libri i Atë Leonardo di Pinto O.F.M. ”IMZOT VINÇENC PRENNUSHI ME SHOKË MARTIRË – PROFIL HISTORIK HAGJIOGRAFIK”, Vellimi I. 2016.

Ps: Gjaku i pafajshëm i Martirëve të na shëndris në këto ditë të vështira epidemije!

Me të u pushkatua edhe Prëk Cali me 12 malësorë të tjerë! – Anton Pllumaj/fb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.